Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, duke folur për marrëdhëniet me Turqinë, i bëri thirrje presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, për “qasje të përbashkët në kuadër të së cilës do të ndërmerren hapa të guximshëm”, raporton Anadolu Agency (AA), përcjellë KOHA.
Mitsotakis ka folur në seancë të parlamentit grek në të cilën bisedohet për programin e Qeverisë greke.
Duke u përqendruar shkurt në marrëdhëniet e vendit të tij dhe Turqisë, Mitsotakis tha se vendi i tij dëshiron të qëndrojë larg retorikës zemëruese dhe se, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe bashkëpunimin miqësor, dëshiron të bëjë hapa përpara.
“I bëj thirrje Tayyip Erdoğanit për qasje të përbashkët në kuadër të së cilës do të ndërmarrim hapa të guximshëm”, porositi Mitsotakis, dhe shtoi:
“Jetojmë bashkë në këto hapësira. Tensionet e panevojshme dhe gara në armatim nga të dyja vendet merr resurse të vlefshme. E gjithë kjo mund të përdoret për të mirën e vendeve tona”.
Lideri i partisë së djathtë Demokracia e Re (DR), Kyriakos Mitsotakis, më 8 korrik dha betimin si kryeministër i ri i Greqisë, një ditë pasi fitoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në këtë vend. (koha.mk)