Misioni ynë: lufta për liri!

76

Detyrimi ynë kolektiv dhe misioni i njerëzve të mirë që e duan progresin shoqëror mbetet lufta për liri, e cila sot nënkupton dy gjëra: përpjeke për zhvillim të mirëfilltë ekonomik – me çka shumë njerëz do të çliroheshin nga robëria e shkaktuar nga varfëria; dhe qeverisje të mirë, e cila do të siguronte të mira të mirëfillta publike dhe e cila nuk do t’i robëronte/ç’njerëzonte qytetarët duke “ua dhënë” një vend pune dhe duke ua marrë liritë fundamentale njerëzore

Nga Omer AJDINI

Liria është aq e rëndësishme, thotë Dostoyevsky, saqë Ademit nuk iu bë vonë të sakrifikonte parajsën për hir të ushtrimit të kësaj vlere aq fisnike njerëzore të dhënë nga Zoti e cila përbën bazën e dinjitetin tonë dhe na bën kaq të ndryshëm nga krijesat e tjera. Në përgjithësi liria përkufizohet si “të qenurit në gjendje të bësh atë që dëshiron pa pasur diçka ose dikë që të ndalon”. Kjo në teori njihet si liri “negative” e cila nënkupton mungesën e kufizimeve të jashtme për veprimet individuale ose kolektive, si për shembull, liria e shprehjes, liria e tubimit, liria e pjesëmarrjes politike, etj. Një lloj tjetër lirie shpesh njihet si liri “pozitive”, e cila në thelb i referohet asaj që një person është në gjendje të jetë ose të bëjë duke pasur parasysh rrethanat ekzistuese në të cilat ndodhet ajo/ai, dhe që kryesisht varet nga të ardhurat që njerëzit mund të kenë apo shërbimet publike që ofrohen, për shembull, të qenurit i lirë nga shtrëngimi i urisë, i lirë nga sëmundjet, i lirë nga injoranca, etj. Pra njerëzit jetojnë jo të lirë kryesisht nga varfëria, nga kufizimet e jashtme, ose nga mungesa e të mirave publike, dhe është bindja ime e thellë që tek ne shkalla e robërisë faktike është mjerisht e lartë.

Kufizimet më të dhimbshme e ndoshta më të shpeshta të lirisë së njeriut bëhen pikërisht nga pamundësia e jetësimit dhe ushtrimit të lirive që normativisht garantohen me ligj, e fajtor për këtë është varfëria. Varfëria është pra mungesa e faktorëve mundësues për realizimin e lirisë, e që në të vërtetë është vet robëria. Varfëria është multidimenzionale dhe përfshinë më shumë sesa mungesën e mjeteve financiare. Ajo manifestohet në forma të ndryshme, si për shembull uri ose ushqim i pamjaftueshëm, qasje e kufizuar në edukim, përjashtim social, si dhe mungesë e participimit në vendimmarrje. Varfëria financiare është ndër më të shpeshtat dhe është faktori kryesor që pamundëson realizimin e shumë lirive të tjera. Sipas Entit Shtetëror për Statistika tek ne ekzistojnë mbi 438,000 njerëz të cilët jetojnë në varfëri, ndërsa prej tyre 85,000 jetojnë me më pak se 40 denarë në ditë. Pra imagjinoni, gati gjysëm milioni njerëz mes nesh faktikisht jetojnë në një far forme të robërisë ngaqë nuk kanë mundësi t’i ushtrojnë shumë liri elementare, si për shembull të udhëtojnë diku, të lexojnë atë që duan, të ushqehen si duhet apo me atë që u pëlqen, edhepse këta njerëz (pu)shteti i konsideron si qenie të lira!

Varfëria fatkeqësisht nuk është kufizuesi i vetëm i lirisë në Maqedoninë e Veriut. Mungesa e shërbimeve (të mirëfillta) publike si për shembull sistem cilësor i edukimit, sistem i mirëfilltë i shëndetësisë, etj., bëjnë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të mbesin shpesh jo të lirë në shumë dimensione, si për shembull të lirë nga injoranca apo sëmundjet që i rëndojnë. Rezultatet e testit PISA e rangojnë sistemin tonë të edukimit si një ndër më të dobëtit në Europë, me çka 2/3 e nxënësve deri në moshën 15 vjeçare përfundojnë si analfabet funksional edhe përkundër faktit që kanë shpenzuar vite të tëra në sistem të edukimit. Pra një pjesë e konsiderueshme e jona mbesim jo të lirë nga injoranca duke mos e shijuar ndoshta asnjëherë shijen e lirisë të cilën e mundëson dija si pasojë e sistemit të degraduar të arsimit. E kjo po që është robëri!

Për fat të keq kufizimi i lirive tek ne nuk përfundon këtu. Kufizimi i lirive negative mbetet shqetësim real tek ne edhe përkundër faktit që pretendojmë se jemi shtet demokratik dhe aspirojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Europian. Një numri të madh të bashkëqytetarëve tanë të cilët janë të punësuar në sektorin publik (po shpesh edhe në atë privat) u kufizohen një sërë lirish negative të cilat përbëjnë bazën e dinjitetit njerëzor. Për shembull, të jesh i punësuar në administratë shtetërore me automatizëm nënkupton mungesën e lirisë së shprehjes apo participimit politik për ndryshim të partisë në pushtet, ngaqë ekziston rreziku permanent që të përjashtohesh nga puna dhe të biesh në varfëri dhe robëri edhe me të thellë. Pra liria e shprehjes dhe ajo e participimit të lirë politik këmbehen me një vend pune, e gjithë kjo përderisa pushtetarët tanë thurin lavde për vetveten se gjoja ata janë gardian të lirisë sonë.

Për fund, ne duhet ta themi hapur që robëria sot është sa reale aq edhe shqetësuese, ndërsa progresin shoqëror dhe ekonomik duhet ta shohim në funksion të zgjerimit të lirisë dhe për të duhet të angazhohemi të gjithë. Fatkeqësisht, siç e thamë edhe më lartë, gjendja e një pjese të konsiderueshme të bashkëqytetarëve tanë sot është e barabartë me robëri faktike e shkaktuar qoftë nga varfëria dhe mungesa e të mirave publike, apo thjeshtë nga kufizimi direkt i disa lirive nga pushteti. Prandaj, detyrimi ynë kolektiv dhe misioni i njerëzve të mirë që e duan progresin shoqëror mbetet lufta për liri, e cila sot nënkupton dy gjëra: përpjeke për zhvillim të mirëfilltë ekonomik – me çka shumë njerëz do të çliroheshin nga robëria e shkaktuar nga varfëria; dhe qeverisje të mirë, e cila do të siguronte të mira të mirëfillta publike dhe e cila nuk do t’i robëronte/ç’njerëzonte qytetarët duke “ua dhënë” një vend pune dhe duke ua marrë liritë fundamentale njerëzore. Realizimi i këtyre dy elementeve, pra, është misioni i gjeneratës tonë, e realizimin e këtij misioni ja kemi borxh shoqërisë dhe fëmijëve tanë nëse duam që ata nesër të jetojnë të lirë!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)