“Kur unë isha fëmijë, braziliani Ronaldo ishte lojtari që e shikoja”, thotë Kosovare Asllani. “Ai luante për Real Madridin dhe kështu nisa ta përcillja këtë ekip për herë të parë”.
I votuar si klubi i shekullit nga FIFA, Real Madridi kishte mbetur prej pak klubeve të mëdha të futbollit pa ekip të femrave.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në vitin 2019, një prej tifozeve të flakta të Realit, Kosovare Asllani, përmes rrjeteve sociale, pyeti pse klubi që përkrah nuk ka ekip të femrave. Katër muaj më vonë, ajo firmosi për CD Tacon, vetëm tri javë pasi Bordi i drejtorëve të Real Madridit propozoi që kjo skuadër të shndërrohej në skuadër të femrave të klubit, lëvizje kjo që u aprovua më 15 shtator 2019.
Asllani hyri në histori si blerja e parë e ekipit të femrave të Real Madridit dhe u bë e njohur si “galaktikja” e parë.
Të përballej me pritshmëritë nuk ishte diçka e re për 31-vjeçaren nga Suedia, me rrënjë nga Kosova.
“Në të gjitha klubet ku kam luajtur jam përballur me shumë presion. Kam luajtur për Paris Saint-Germainin për katër vjet, kam luajtur për Manchester Cityn, kam luajtur në SHBA, kam luajtur për përfaqësuese ku kam rol lidereje. Jam po ashtu zëvendëskapitene dhe gjithnjë më ka pëlqyer të marr përgjegjësi”, ka thënë Asllani në një intervistë të publikuar të dielën nga Forbes.
“Të nënshkruaj për Real Madridin qartë se ishte e veçantë për mua”, pranon Asllani.
“Kam përcjellë klubin për kohë të gjatë dhe në të njëjtën kohë kam ndier se kam firmosur një letër të përgjegjësisë, pasi isha lojtarja e parë e transferuar nga klubi”.
Skuadra e femrave e Real Madridit, ende me emrin Tacon, e humbi 9:1 ndeshjen e parë nga Barcelona. Ishte një humbje e përjetuar rëndë, ndërsa Asllani e arsyeton me mungesë të përvojës.
“Isha e shokuar me mënyrën se si hymë në ndeshje. Shumë prej lojtareve tona ishin të nervozuara. Mendoj se kjo ndodhi pasi për shumicën ishte loja e parë në elitë. Ishte një ndeshje në të cilën shumica e lojtareve u përballën me mungesë të besimit. Ne kemi lejuar shumë gola të lehtë. Mendoj se lojtareve u duhet përvoja dhe ajo na mungoi në atë ndeshje”, ka kujtuar Asllani, reprezentuesja e Suedisë.
“Me gjasë nuk do ta harroj asnjëherë atë ndeshje, pasi ishte turpërim i madh. Ndoshta ishte prej turpërimeve më të mëdha që do të përjetoj në karrierë. Nuk mund të them asgjë tjetër për atë ndeshje”.
Kur edicioni 2019/2020 përfundoi më herët për shkak të pandemisë, CD Tacon ishte në mes të tabelës, me gjashtë fitore nga 21 ndeshje.
Gjatë verës, skuadra zyrtarisht kaloi nën ombrellën e Real Madridit dhe është emëruar Real Madrid Femenino më 1 korrik 2020.
Pas një humbjeje tjetër në ndeshjen hapëse nga Barcelona, këtë herë 4:0, Asllani vazhdoi të shkruajë historinë, duke shënuar golin e parë për ekipin e femrave të Real Madridit në barazimin 1:1 me Valencian në xhiron e dytë. Tetë gola tjerë kanë pasuar për Kosovaren, ndërkohë që Reali në periudhën e festave ka hyrë nga pozita e dytë, pas Barcelonës, por para rivales së qytetit, Atleticos.
Asllani është krenare për prejardhjen e saj nga Kosova, shkruan Forbes.
“Prindërit e mi kanë lindur dhe janë rritur në Kosovë. Unë jam e lindur në Suedi, por unë kam ndier se shumë vajza të reja me prejardhje nga vende të tjera mund ta gjejnë veten tek unë. Kështu që kam ndier përgjegjësi të luftoj për këto vajza dhe të dëshmoj se nuk ka rëndësi prej nga vjen, se të gjitha ëndrrat janë të mundshme”, ka theksuar Asllani.
Asllani ka suksese në Lojërat Olimike, e po ashtu në kampionate botërore. Me Suedinë në vitin 2019 doli e treta në botë.
“Të luash në Kupën e Botës është sukses shumë i madh. Në aspektin personal dhe për futbollin e femrave në përgjithësi ishte moment i rëndësishëm medalja e vitit 2019. Shumë vajza kanë mundur të na shikojnë duke luajtur. Botërori është shfaqur në shumë vende, shumë më tepër se në të kaluarën, kështu që ishte inspiruese të isha pjesë e tij”.
Tani Kosovarja dëshiron t’i inspirojë të tjerat. Natyrisht, si pjesë e ekipit të parë të femrave të klubit më të madh në histori të futbollit.
“Ne do të hapim rrugë për vajza të tjera që ëndërrojnë të luajnë për Real Madridin. Unë vërtet luftoj për të drejta të barabarta dhe vërtet dëshiroj që klubet më të mëdha t’i kenë ekipet e femrave. Real Madridi është klubi më i madh në botë. Ishte shumë e rëndësishme për mua që klubi është bashkuar me klubet e tjera, duke dëshmuar se dëshiron një ekip të suksesshëm të femrave. Suedia ka qenë model për botën sa u takon të drejtave të barabarta dhe të drejtave të futbollisteve. Ne kemi qenë të suksesshme për kohë kaq të gjatë. Shoh potencial të jashtëzakonshëm. Dua ta ndihmoj sportin tonë që të rritet në një vend të futbollit si Spanja”, ka theksuar Asllani.