Misioni i fundit i Templarëve

Qyteti i Vatikanit. Edhe sot, e premtja, 13 konsiderohet një ditë ogurzezë: është e tillë, që nga ajo e premte, e 13 tetorit 1307 kur Filipi IV i Francës, i quajtur i Bukuri, arrestoi të gjithë templarët e mbretërisë. Me akuza të turpshme: herezi, sodomi, idhujtari. Rituale fillese të papranueshëm: mohimi i hyjshmërisë së Krishtit, adhurimi i idhujve falsë, puthja e të sapopranuarve në buzë, në kërthizë, në organet gjenitalë… Dhe ata kalorës legjendarë, më të fuqishmit e botës së kri- shterë, pranuan – nën tortura – faje të rëndë. Aq sa Papa Klementi V u detyrua që të urdhëronte arrestimin e templarëve të të gjithë Krishterimit. Që këtu nisi një seri e gjatë procesesh. Dhe një luftë e fortë mes një papati të dobët dhe një monarku arrogant, mbi të drejtën e kryerjes së dëgjesave. Kur Klementi V kërkoi që të merrte në pyetje pesë dinjitarët më të lartë të Urdhrit të Tempullit, të burgosur në Kështjellën e Chinon, kërkesa e tij u mohua, pasi u gjet një pretekst. Kështu, dërgoi kardinalët e tij në fshehtësi të madhe që t’i merrnin në pyetje të dënuarit, të cilët, pa u vënë nën torturë, kishin konfirmuar se kishin rimohuar Krishtin dhe kishin pështyrë mbi Kryq. Dhe u liruan. Si shpjegohet ky shfajësim?

Deklaratat e tyre janë regjistruar në një dokument shumë të vlefshëm në latinisht që i përket vitit 1308, i ashtuquajturi Pergameni i Chinon, ngahera i mbajtur në arkivat papnorë, por që u ka shpëtuar për një kohë të gjatë studiuesve dhe kërkuesve. Nuk u vu re nga dy gjermanët që, të parët, në fillim të Nëntëqindës, publikuan aktet e proceseve të templarëve, dhe po kështu nga shumë studiues të tjerë që u bazuan në punën e tyre. Ai dokument i rëndësishëm u rishfaq vetëm në vitin 2001 falë një studiueseje të arkivit të Vatikanit. Dhe menjëherë shkaktoi interpretime pa fund: fakti që shkelësit që ishin rrëfyer ishin liruar, çfarë pasojash kishte për të ardhmen e Urdhërit? Është viti 1310: dy vjet më pas Urdhëri i Tempullit – shumë i pasur, shumë i fuqishëm, me një mbështetje të jashtëzakonshme popullore – pezullohet prej Papës. Kudo në botë. Në mënyrë përfundimtare, përkundër atyre që thonë se Urdhëri vetëm sa u pezullua. “Me një normë të përjetshme”, thotë Pier Paolo Piergentili, zyrtar i Arkivit të Vatikanit dhe studiues i vëmendshëm i këtyre cështjeve. “Kushdo që do të shpallej templar këtej e tutje do të shkishërohej. Një rregull i parevokuar asnjëherë, pra teorikisht i vlefshëm edhe sot e kësaj dite”.

Ndoshta në favor të grupeve të mëdhenj dhe të vegjël, të faqeve në internet dhe programeve televizivë apo lojërave elektronike që flasin për një mbijetesë të tyre deri sot e kësaj dite. Apo mijëra produkteve që i lidhin templarët me Graalin, masonerinë, sektet satanikë, Indiana Jones, parinë e Sionit (Kodi i Da Vincit, roman dhe film), shtrigat (I fundit i templarëve me Nicolas Cage). E ndoshta edhe me Drakulan dhe Batmanin. Prej nga buron gjithë kjo tërheqje? Cilët ishin në të vërtetë kalorësit kryqëkuq? Përse ranë, me një goditje, e u zhytën në baltë?

Filloi në shekullin XII, menjëherë pas kryqëzatës së parë, e cila i kishte shkëputur Islamit Jerusalemin dhe kish çuar në Tokën e Shenjtë dhjetëra mijëra pelegrinë të të gjithë gjuhëve, moshave, klasave sociale: kalorës dhe fshatarë, priftërinj dhe prostituta… Ata që i mbijetonin udhëtimit dhe betejave ishin pre e armiqve që mbushnin rrugët dhe kërcënonin territoret e pushtuar. Pikërisht në mbrojtje të tyre lindi në vitin 1120 Urdhëri i Templarëve, që morën këtë emër pikërisht sepse e ngritën qendrën e tyre pranë Tempullit të lashtë të Solomonit, në Jerusalem. Murgj dhe luftëtarë, me rregulla të rreptë dhe shpirt luftarak. Tipare që sot duken kontradiktorë, por atëherë nuk ishin: për të ekzaltuar dhunën e shenjtë ndikoi vetë Papa, dhe kalorësve që tundnin shpatën në emër të Zotit u premtoheshin shpërblime spiritualë. Të gjithë murgjit i kundërviheshin djallit në manastir, me lutjet e tyre: templarët i kundërviheshin në botë, duke luftuar armiqtë e Krishterimit. Mbështetja popullore ishte e jashtëzakonshme: fisnikë dhe plebenj, të pasur dhe të varfër ofronin për templarët para, toka, ndihma. Dhe kush hynte në Urdhër dhuronte të mirat e tij. Kështu pasuria e templarëve, të cilët Papa i kishte përjashtuar edhe nga taksat, rritej gjithnjë e më shumë. Kudo nëpër Evropë ata zotëronin toka dhe bagëti, ndërtonin objekte fetare dhe pallate. Dhe prej këtu buronin paratë dhe produktet që shërbenin për sforcon ushtarake në Lindjen e Mesme: furnizime, kuaj, armë, anije, por edhe mjete për ndërtimin e fortifikimeve të mëdhenj. Burimet e tyre në perëndim mbulonin kostot stratosferike të misioneve në front. Dhe për pothuajse dyqind vite, deri në rënien e pararojës së fundit kristiane, në 1291, templarët ishin në vijën e parë në kryqëzata. Por edhe në prapavijë, duke qenë se kishin krijuar sistemin kapilar bankar më të përparuar të epokës. Kush nisej për në Tokën e Shenjtë, i merrte hua Urdhërit dhe i besonte paratë e tij, për të shmangur risqet e udhëtimit. Dhe sovranët evropianë hynin në borxhe deri në grykë, duke financuar luftërat e tyre. Jo vetëm që templarët ishin më të pasur se mbreti, por kishin përfaqësues kudo, si një kompani shumëkombëshe, në një botë ku komunikimi ishte i vështirë, me rrjete ndërkombëtarë inekzistentë. Ai që u zhyt më shumë në borxhe ishte Filipi, për shkak të sipërmarrjeve të tij të kushtueshme ushtarake kundër Anglisë dhe Fjandrave. Dhe për të, e vetmja mënyrë për të shmangur falimentimin ishte rifitimi i asaj pasurie: nisi kështu një fushatë shpifjesh dhe baltosjeje kundër kredidhënësve të tij. Një propagandë tendencioze, e cila iu shtua zilisë dhe kritikave që ekzistonin tashmë për një Urdhër kaq të fuqishëm. Por stilit të jetesë së templarëve, i cili nuk ishte rigoroz si një herë e një kohë. Tashmë thuhej: “Të pish e bëhesh tapë, si një templar”.

Më pas erdhi arrestimi. Proceset. Pranimi i mëkateve: nën torturat e torturuesve të mbretit, por edhe përpara të dërguarve të Papës. Ja një pjesë nga marrja në pyetje e fratit kavalier Hugues de Pairaud, nxjerrë nga Pergameni i Chinonit: “Ai pyetej nëse kishte pranuar ndonjë frat të Urdhrit dhe ai u përgjigj po: shumë, dhe në shumë raste. I pyetur se si i kish pranuar, ai përgjigjej se pas ceremonisë së pranimit, detyronte secilin që të mohonte kryqin dhe ta puthte në prapanicë, në kërthizë dhe pastaj në buzë”. E megjithatë pesë krerët e urdhrit u morën në pyetje nga të dërguarit e Papës. I gjithë Urdhri përfundoi në bankën e të akuzuarit në 1309: kush kishte rrëfyer më parë fajet e vet ishte tashmë gati të ribënte tratativa për të mbrojtur organizatën. Por një goditje e mbretit, që dërgoi në turrën e druve 54 templarë që kishin ndryshuar version, terrorizoi të dënuarit: deponimet e tyre që përmbahen në 60 metra pergamenë, janë pikëllues. Pra, Filipi ia doli aty ku myslimanët kishin dështuar: në asgjësimin e templarëve. Dhe në 1312, një urdhër i Papës dekretoi një herë e mirë shpërbërjen e Urdhërit. Tortura, turra drush, skandale: tërheqja e pavdekshme prej templarëve buron edhe prej këtyre historive. Ashtu sikurse nga heroizmi i tyre, nga lufta për një kauzë tek e cila besonin verbërisht. Për më tepër kishin një organizatë të mbyllur, të mbështjellë me mister: aq sa duhet për të shfrenuar fantazinë në shekuj të tërë dhe për t’u atribuuar atyre gjithçka.

Ka nga ata që thonë se templarët gjetën Graalin e shenjtë dhe e groposën nën kishëzën e Rosslyn në Skoci. Ka nga ata që thonë se ata ishin njerëz që ruanin dije ezoterike që i lidhin me urdhra të fshehtë, apo me grupe si katarët, gnostikët… Ka nga ata madje që betohen se tempullarët mbërritën në Amerikë para Kolombit. I harruar prej shekujsh, Urdhëri i Tempullit u rikthye në skenë gjatë romanticizmit, kur grupe neotemplarë rishfaqën tiparet kalorësiake dhe ritet e fillesës. Edhe roma- net shumë popullorë të Sir Walter Scott – duke filluar nga “Ivanohe” – i risollën në jetë. Umberto Eco, që tek Lavjerrësi i Foucault satirizon qasjet antishkencore të temës së kryqëkuqve, shkruan: “Në nëntëdhjetë për qind të rasteve bëhet fjalë për broçkulla, pasi asnjë argument nuk ka frymëzuar ndonjëherë më shumë legjendat e të gjithë kohëve dhe të gjithë vendeve, se sa çështja e templarëve”. (Storica NG)