Kabul, 19 korrik – Misionet diplomatike në Afganistan, duke e përfshirë edhe atë të SHBA-së, sot, në një kumtesë të përbashkët u bënë thirrje militantëve talebanë urgjentisht ta ndërpresin ofensivën aktuale ushtarake në vend, lajmëroi DPA.
Në kumtesë, të nënshkruar mes të tjerëve edhe nga delegacioni i BE-së në këtë vend dhe Zyra e Përfaqësuesit të lartë civil të NATO-s, citohet se ofensiva aktuale e talebanëve çon drejt viktimave civilë, shpërngulje të njerëzve dhe shkatërrim të infrastrukturës publike në mbarë vendin.
“Ofensiva e talebanëve është në kundërshtim direkt me pohimin e tyre për mbështetje të zgjidhjes së konfliktit me negociatat dhe procesin paqësor në Doha”, shtohet në kumtesë.
Misionet diplomatike, shton DPA, gjithashtu i dënojnë “raportet e besueshme” për përpjekjet të shtypen të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave, të mbyllen edhe organizatat mediatike publike dhe private në përpjekje të fshihen shkeljet e tyre për të drejtat e njeriut dhe të zvogëlohet liria e shprehjes.
“Afganët arritën përfitime të mëdha në njëzet vitet e fundit dhe duan të vazhdojnë me ndërtimin e arritjeve të tyre në zhvillim, në të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes. Ne duam të theksojmë se përparimi i arritur viteve të fundit mund të mbahet vetëm nëse të gjitha palët punojnë së bashku”.
Kumtesa vjen një ditë prejse delegacioni i lartë afgan i përfundoi takimet dyditëshe me përfaqësuesit e talebanëve në Doha, Katar.
Mohamed Naim, zëdhënës i talebanëve në Doha, pas mbledhjes deklaroi se palët janë pajtuar edhe në të ardhmen do t’i vazhdojnë takimet e tilla në nivel të lartë në përpjekje të gjendet zgjidhje politike për konfliktin që është në vijim.
Palët në konflikt, vazhdoi ai, gjithashtu u pajtuan të parandalojnë dëm të infrastrukturës publike, transmeton DPA.