Kryetari i Këshillit Evropian Sharl Mishell në Beograd deklaroi se “Bashkësia gjeopolitike evropiane”, të cilën ai e propozoi, do t’u ndihmojë vendeve të cilat duan t’i bashkangjiten Bashkimit Evropian, sepse kjo do ta lehtësojë procesin e tyre të përfshirjes.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Mishell tha se platforma e re do të japë mundësi për këmbim të rregullt të mendimeve në nivel më të lartë që do ta rrisë “mirëkuptimin politik të ndërsjellë ndërmjet palëve të përfshira”.
Ai deklaroi se propozimin për krijimin e “Bashkësisë gjeopolitike evropiane” e ka dhënë sepse “e rëndësishme është pikërisht tani” të ekzistojë një format politik që do të mundësojë “përkushtim të përbashkët të sfidave konkrete”.
Mishell tha se “kjo nuk është ide e re nga Brukseli që është propozuar me qëllim që të anulohet diçka”, por e kundërta, me qëllim që të rritet bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet anëtareve të BE-së dhe vendeve kandidate.
Mishell thotë se vizita e tij në Beograd dërgon sinjal të fuqishëm për një bashkëpunim të afërt ndërmjet Serbisë dhe BE-së, duke shtuar se Parku teknologjik-shkencor, të cilin e vizitoi paraprakisht sot është “shembull i shkëlqyer për atë se si BE-ja kontribuon për të ardhmen e Serbisë”.
Ai tha se ka ardhur në Beograd për ta konfirmuar përkushtimin e plotë të BE-së për negociatat inkuadruese me Serbinë, duke thënë se takimi i paralajmëruar i liderëve të BE-së dhe gjashtëshes sëBallkanit Perëndimor në Bruksel më 23 qershor duhet ta zgjerojë dialogun dhe ta thellojë bashkëpunimin ndërmjet dy palëve.