Përgjegjësia kryesore për daljen nga qorrsokaku me largimin britanik nga BE-ja është e Britanisë së Madhe, deklaroi sot negociatori i Unionit për Bregzitin, Mishell Barnie në fjalimin para Parlamentit Evropian.
Siç lajmëron korrespodenti i MIA-s nga Strasburgu, në debatin për temat e Samitit të ardhshëm të BE-së, të caktuar për më 21 dhe 22 mars, Barnie theksoi se po kërkohen zgjidhje për problemet e shumta të krijuara me Bregzitin dhe për pasojat e shkaktuara nga ai, me qëllim që të sigurohet largim i organizuar i Britanisë së Madhe nga Unioni.
Barnie theksoi se kjo është e mundur nëse respektohet Marrëveshja për largimin britanik, me çka në periudhën prej 21 muajve deri në katër vite do të mbaheshin bisedime për marrëdhëniet e ardhshme të Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian, të cilat, sipas tij, janë më të rëndësishme se sa ato të Bregzitin.
“Është evidente se Mbretëria e Bashkuar do të mbetet mike, aleate dhe vend partner (i BE-së)”, theksoi Barnie.
Ai gjatë kësaj theksoi se nëse Britania e Madhe ende dëshiron që ta lëshojë BE-në në mënyrë të organizuar, kjo do të jetë e mundshme vetëm me Marrëveshjen të cilën e arritën Qeveria e kryeministres britanike Thereza Mej dhe BE-ja.
“Kjo është Marrëveshja e vetme që e kemi në dispozicion. Nuk ka marrëveshje tjetër”, potencon Barnie.
Sipas tij, në këtë drejtim janë edhe dy dokumentet shtesë të harmonizuara në bisedimet e fundit mes BE-së dhe Londrës, me të cilat “garantohet paqja e ishullit irlandez dhe integritetin e tregut evropian”.
“Nuk do të ketë garanci dhe interpretime shtesë. Qeveria britanike duhet të na tregojë se si do të sigurojë shumicë konstruktive për një propozim. Përgjegjësi e Mbretërisë së Bashkuar është që të na thotë se çka dëshiron për marrëdhëniet e tona të ardhshme dhe cila është zgjedhja e tyre dhe linjat e qarta”, shtoi Barnie.
Ai theksoi se nuk sheh shkaqe për vazhdimin e bisedimeve për Bregzitin, kur ato tashmë kanë përfunduar. “Ne kemi marrëveshje, ajo është këtu”, theksoi Barnie.
Sipas tij, BE-ja gjendet në një moment serioz dhe të rëndë, sepse rreziqet nga Bregziti pa marrëveshje janë të mëdha.
“Ne po përgatitemi, asnjëherë nuk e dëshirojmë dhe gjithmonë kemi punuar që ta shmangim”, deklaroi negociatori evropian, duke shtuar se BE-ja është e gatshme që të përballet me Bregzitin pa marrëveshje. (koha.mk)