Mishel-Pendarovski: Shpresojmë në bashkëpunim të shkëlqyer dhe përparim në integrimin evropian

Shkup, 24 janar – Stevo Pendarovski, presidenti i Maqedonisë së Veriut u takua me presidentin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel, i cili do të vazhdon vizitën edhe nesër me Zoran Zaevin dhe Hristijan Mickovskin.

Pendarovski falënderoi Mishelin i cili nga fillimi i mandatit ka dhënë përkrahje për fillimin e negociatave për integrimin e RMV-së në BE.

“Ju uroj për marrjen e funksionit Kryetari i Këshillit evropian dhe Ju uroj sukses në punën me përgjegjësi në vitet e ardhshme. Shpresoj se do të kemi bashkëpunim të shkëlqyer dhe në kohën e mandatit tuaj do të kemi përparim në integrimin evropian”, deklaroi Pendarovski.

Ai deklaroi se anëtarësimi në BE është pa alternativë, qëllimi strategjik themelor i RMV-së, dhe do të vazhdohet të punohet për atë.

“Ne jemi të gatshëm të pranojmë metodologjinë e re, sepse ajo është në interesin tonë, që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe kredibil”, deklaroi Pendarovski.

Ai nesër pritet të takohet paradite me liderin e LSDM-së Zoran Zaev në hotel Mariot-Shkup dhe me liderin e opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.

Ditën e dytë, Michel do ta vizitojë projektin e financuar nga BE “përmirësimi i infrastrukturës së grumbullimit të ujërave të zeza në Qytetin e Shkupit”.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është që të përmirësojë infrastrukturën komunale të grumbullimit të ujërave të zeza në Shkup. Vlera e projektit është 9.68 milionë euro, prej të cilave 7.1 milionë euro janë nga IPA, ndërkaq 2.58 milionë me kofinancim nacional.

Ndryshe, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, i ka konfirmuar zërat se raporti për metodologjinë e re të bisedimeve nuk do të publikohet më 29 janar, ashtu siç pritej, por pritjet në qarqet diplomatike në Bruksel janë se metodologjia do të publikohet një javë më vonë, gjegjësisht më 5 shkurt.

Ajo shtoi se para takimit të shefave të shtetit dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit perëndimor në Zagreb, në maj, do të publikohet edhe plani investues ekonomik për Ballkanin Perëndimor me qëllim që të “intensifikohet prania” e BE-së në Ballkan, proces i cili do të shfrytëzohet nga të dyja palët, shtoi Pisonero.

Metodologjia e re për zgjerimin e Bashkimit Evropian tani numëron shtatë faza që shtetet kandidate duhet t’i plotësojnë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane kundrejt 35 kapitujve që janë aktualisht.(koha.mk)