Vedat MEMEDALIJA, Milano
Më vjen shumë mirë që fluturimi sot na qëlloi në të njejtën kohë.
Ju fluturoni drejt Milanos ndërsa unë drej Dyzeldorfit por patjetër që ditën e ndeshjes suaj me Milanin, takohemi së bashku në ‘San Siro’. Kështu u tha futbollistëve të Shkëndijës presidenti i Klubit, Lazim Destani, në përcjelljen e futbollistëve drejt stadiumit San Siro në Milano.
“Të dashur futbollistë, kam kënaqësinë që po ju shikoj me këtë pamje të bukur, me një veshje uniforme, siç u ka hije skuadrave të mëdhaja kur nisen drejt sfidave të nivelit më të lartë që njeh futbolli europian. Përshëndetje të veçantë patjetër që meritoni ju stafi teknik Shkëndijës, nën udhëheqjen e trajnerit Qatip Osmani, i cili tashmë po e drejton skuadrën e tij të guximshme edhe në arenat europiane, përballë skuadrave elitare të futbollit botëror, siç është Milan”, tha Destani.
Pra, vijoi më tej ai, kështu siç po ju shoh të shoqëruar edhe nga presidenti i klubit Visar Bexheti, kam kënaqësinë të gjithëve së bashku t’ju uroj fluturim të këndshëm.
“Me besimin e plotë që kam ndaj jush, uroj gjithashtu që në përballjen me Milanin, me guxim e mençuri në fushën e gjelbër ta jepni maksimumin dhe të dilni që andej, kryelartë, me dinjitet e me fitore! Mirupafshim në ‘San Siro’”, përfundoi Destani.