Omer XHAFERI
Shkup, 30 mars – Me prezantimin e obduksioneve të mjekësisë ligjore të Maqedonisë, për të vrarët e “Grupit të Kumanovës”, të enjten ka vazhduar procesi gjyqësor kundër Sulejman Osmanit, i njohur me emrin Komandant Sula – gjykimi i të cilit zhvillohet ndaras nga ai i 37 të akuzuarve tjerë për ngjarjet e majit të vitit 2015 që ndodhën “Lagjen e Trimave”, shkruan gazeta KOHA. Në këtë seancë gjyqësore, prokurori publik Naum Panovski, përpos që lexoi prova të ndryshme nga procesverbalet, ai në mënyrë vizuale i prezantoi edhe fotografitë e kryera gjatë ekspertizës së Samid Kastriotit, Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj dhe Valon Kabashit, gjegjësisht pjesa tjetër e fotodokumentacionit u ndalua me kërkesë të vetë të akuzuarit Sulejman Osmanit. Pamjet e para të prezantimit të dëshmive materiale në këtë seancë prokuroria i filloi me ekspertizën e të ndjerit Samid Kastrioti, i cili mund të vërehej se atëkohë kishte pasur të veshur një uniformë ngjyrë gri, me emblemë të UÇK-së. Në këtë fotografi, po ashtu mund të shiheshin plagët e shumta që kishte marrë i ndjeri Kastrioti, në mesin e të cilëve dhe dy apo tre plagë nga plumbat, që sipas të gjitha gjasave kanë qenë fatale për jetën e tij. Njëherësh, gjatë shpalosjes së fotografive që ishin bërë në sallën e Institutit për Mjekësi Ligjore, mund të shiheshin edhe të dhënat personale të personit fjalë, respektivisht portofoli dhe një sasi e konsiderueshme e të hollave, kryesisht në deviza euro.
BEGU KISHTE FYTYRËN E DJEGUR
Përgjatë gjithë këtij procesi të prezantimi të dëshmive materiale, i akuzuari Sulejman Osmani nuk reagonte fare, për dallim nga seancat e mëhershme ku dinte të ndërhynte në ndonjë rast, por vetëm i shikonte me vëmendje këto pamje. Opinioni më i gjerë, përfshi mediat dhe organizatat joqeveritare, për herë të parë në seancën gjyqësore të mbajtur të enjten kundër Osmanit, patën mundësi që t’i shohin fotografitë e dy personave më të përfolur në të gjithë këtë proces gjyqësor, gjegjësisht fotografitë nga obduksioni i Mirsad Ndrecajt dhe Beg Rizajt, të cilët sipas prokurorisë, janë vrarë periudhën e luftimeve më 9 dhe 10 maj 2015. Për dallim nga i ndjeri Kastrioti, gjatë shpalosjes së fotografive të obduksionit të Mirsad Ndrecajt, mund të vërehej se i ai ka qenë i veshur me xhinse, atlete të rëndomta, ndërsa në pjesën e sipërme kishte pasur të veshur një bluzë pa krahë dhe pallto të zezë me emblemë të UÇK-së. Nga prezantimi i këtyre pamjeve, në kohën kur mjekët ligjor e kishin zhveshur të ndjerin Ndrecaj, vëreheshin plagë të ndryshime në trup, por mesa duket – goditjen fatale personi në fjale e kishte pranuar në pjesën e djathë të kokës, gjegjësisht pjesën mbi veshin e djathtë të kokës. Ngjashëm si në pamjet e fundit, me plagë të llojllojshme nëpër trup, disa të marra nga predhat e tjerat nga plumbat, të enjten u shpalos edhe ekspertiza e Beg Rizajt, anëtar i “Grupit të Kumanovës” që mbeti i vrarë në maj të 2015. Në kuadër të këtyre fotografive, ajo që mund të veçohet është pjesa e djegur e fytyrës së të ndjerit Rizaj, si dhe plaga e madhe që e kishte marrë në anën e majtë të kokës, respektivisht pjesës së syrit të majtë e përpjetë. Me këtë, prezantimin e këtyre dëshmive, prokuroria i ka përfunduar seancat gjyqësor për muajin mars kundër Komandat Sulës, ndërsa gjykimi pritet të vazhdojë me datë 18 dhe 28 prill, atëherë kur dhe pritet të përfundoj prezantimi i dëshmive materiale të prokurorisë dhe të filloj prezantimi i dëshmitarëve nga pala mbrojtëse.
MEMETI: TRAJTIM JO HUMAN I POLICISË EDHE NË 2016
Prej procedimit të lëndëve nga ankesat e qytetarëve, Avokati i Populli, Ixhet Memeti, në Raportin e publikuar për vitin 2016, ka konstatuar se nëpunësit policor edhe më tej vazhdojnë me tejkalimin e kompetencave që ua lejon ligji. “Malterim gjatë kryerjes së detyrës zyrtar dhe trajtim jonjerëzor, nënçmues dhe johuman paraqesin disa nga veprimet e policisë, të cilët ne i kemi konstatuar se kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar. Shkeljet ligjore nga polica ne i kemi hasur gjatë protestave masive të qytetarëve kundër vendimit të presidentit të shtetit për faljen e një grupit të madh funksionarësh dhe personash zyrtar. Njëherësh, këto veprime i kemi vërejtur se kanë ndodhur edhe gjatë transportit të të akuzuarve për rastin e Kumanovës”, tha ombudsmani Memeti. (koha.mk)