Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, prej dy ditësh ndodhet në Doha të Katarit, ku po merr pjesë në një samit botëror të organizuar nga “Aspire Academy” të titulluar “Performanca e futbollit dhe shkenca”. Ai është ftuar në këtë samit nga drejtuesit e kësaj Akademie, për të qenë i pranishëm bashkë me shumë personalitete të tjera të futbollit botëror dhe përfaqësues të shumë klubeve dhe federatave nga vende të ndryshme.
Jonuz ka shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit tonë këtë javë dhe ka udhëtuar drejt Katarit për të marrë pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm ku në rolin e lektorëve kanë qenë emra të tillë si Mauricio Pochettino, Felix Sanchez, Hernan Crespo, Heimir Hallgrimsson, Slavisa Jokanoviç etj.
Trajneri i ekipit kuqeblu ka zhvilluar shumë takime, duke biseduar për mundësinë e krijimit të urave të bashkëpunimit me Vllazninë. Samiti përfundon sot dhe trajneri Mirsad Jonuz do të kthehet menjëherë në Shkodër për të vijuar punën me ekipin dhe përgatitjet për ndeshjen e radhës me Partizanin.