Mirsad Jonuz “braktis” Vllazninë, shpjegon shkaqet nëpërmjet një letre

37

Menjëherë pas fitores 1-3 në Vlorë përballë Flamurtarit, trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz kishte udhëtuar për në atdheun e tij, Maqedoninë e Veriut, prej ku ka njoftuar sot drejtuesit e klubit shkodran për dorëheqjen nga posti që mbante.

Vendimin për largimin, trajneri Jonuz e ka komunikuar nëpërmjet një letre për drejtuesit e klubit dhe veçanërisht administratorin Suad Lici, ndërsa shkak duket se është bërë përfundimi i kontratës së tij me shkodranët.

Trajneri nga Maqedonia e Veriut kishte një kontratë të vlefshme deri më 31 maj me klubin e Vllaznisë, por mungesa e një oferte për rinovim dhe problemet me dhënien e pagave, pasi pretendohet se ai nuk paguhej prej 4 muajsh.

Natyrisht që largimi i Jonuz vjen në një moment tejet të papërshtatshëm, pasi të dielën Vllaznia do të udhëtojë drejt laçit për të luajtur takimin e parë të fazës së fundit, ndërsa synimi është që t’i largohen sa më shumë vendit të tetë dhe të sigurojnë mbijetesën në mënyrë direkte, pa pasur nevojën për ndeshje shtesë.

Si të mos mjaftonin problemet ekonomike, që lanë skuadrën disa ditë pa stërvitje, tani në Shkodër do të duhet të bëjnë llogaritë edhe me largimin e trajnerit, ndërsa faza e fundit pritet të jetë vërtetë e komplikuar për Vllazninë.

Çështja e pazgjidhur e kontratave ishte theksuar dhe nga kapiteni Gilman Lika pas ndeshjes me Flamurtarin dhe tanimë trajneri i shkodranëve ishte i pari që e vuri në zbatim, aq më tepër që duket se nuk ka kapërdirë edhe mospagesën e katër muajve nga ana e klubit.

Jonuz e mori drejtimin e skuadrës në fillim të sezonit me Vllazninë që për disa momente u duk sikur po rivalizonte dhe për Europën përpara se çështja e pagesave të fillonte të bëhej e dukshme në klubin shkodran, me lojtarët që pas rikthimit në stërvitje pas pandemisë së Covid-19 bojkotuan disa ditë stërvitjen pikërisht për shkakun e mospagesës dhe mungesës së një zgjidhjeje nga bashkia e Shkodrës.

Comments are closed.