Maqedonia e Veriut tani është pjesë e familjes së NATO-s, një familje me tridhjetë kombe dhe gati një miliardë njerëz. Një familje e bazuar në sigurinë se pa marrë parasysh çfarë sfidash hasim, ne jemi të gjithë së bashku më të fortë dhe më të sigurt
Nga Jens STOLTENBERG, Sekretar gjeneral i NATO-s
Maqedonia e Veriut tani është anëtare e plotë e NATO-s, anëtari i 30-të i Aleancës sonë. Nga e hëna, flamuri i Maqedonisë së Veriut do të valojë me krenari përkrah atyre të 29 anëtarëve të tjerë. Ky është me të vërtetë një moment festimi, dhe një moment që të gjithë mezi e kemi pritur prej shumë vitesh. Rruga drejt anëtarësimit ka qenë e gjatë dhe sfiduese, por me kurajo dhe vendosmëri, ju ja arritët.
Ky është një lajm i shkëlqyeshëm në një moment të vështirë kur e gjithë bota po përballet me pandeminë COVID-19. Secili komb po merr masa të paprecedent për të kufizuar përhapjen e virusit, të shpëtojë jetë dhe të kufizojë ndikimin në ekonomitë tona. Kjo sfidë është shumë e madhe për çdo komb të vetëm. Pra, është më e rëndësishme se kurrë që kombet tona të qëndrojnë së bashku, të punojnë së bashku dhe të mbështesin njëri-tjetrin. Ky është thelbi i solidaritetit transatlantik. Së bashku ne jemi më të fortë. Aleatët e NATO-s po mbështesin njëri-tjetrin tani për tani. Ushtria amerikane ka dërguar furnizime thelbësore spitalore në Itali. Gjermania dhe Luksemburgu kanë marrë pacientë të kujdesit intensiv nga Italia dhe Franca. Avionët e aleatëve për transport të rëndë kanë fluturuar mbi dyqind tonë maska, pajisje mbrojtëse dhe pajisje të tjera mjekësore shumë të nevojshme nga Kina dhe Koreja e Jugut në Sllovaki, Republikën Çeke dhe Rumani.
Në të gjitha vendet e NATO-s, ushtritë tona po luajnë një rol jetësor në përpjekjet kombëtare, duke përfshirë planifikimin dhe logjistikën, spitalet në terren, transportin e pacientëve dhe dezinfektimin e zonave publike. NATO ka punuar për shumë vite për të forcuar rezistencën e Aleatëve, përfshirë shërbimet shëndetësore. Maqedonia e Veriut kohët e fundit ka adoptuar sistemin e komandave të incidenteve të gjeneratës së ardhshme të NATO-s dhe po e përdor këtë për të koordinuar aktivitetet e veta ndaj COVID-19 në tërë vendin. Në fakt, gjatë viteve të fundit, NATO ka trajnuar më shumë se 500 persona për reagime të shpejta në Maqedoninë Veriore për të përmirësuar aftësinë e tyre për t’u përgjigjur incidenteve të mëdha si kjo.
Por ndërsa vëmendja jonë e menjëhershme është në pandeminë globale COVID-19, sfidat e tjera nuk janë anashkaluar. Në të vërtetë, ato janë duke u forcuar nga kriza aktuale. Desinformimi në lidhje me virusin korona është i përhapur. Shpeshherë kjo pjesë e një modeli afatgjatë të sjelljes agresive që përfshin sulme kibernetike dhe përpjekje për të minuar legjitimitetin e institucioneve demokratike.
NATO është këtu për të ndihmuar aleatët. Në nëntor të vitit të kaluar, Ekipi i ri i Mbështetjes Kundër-Hibrid ishte në ndihmë të Malit të Zi, me kërkesën e qeverisë së tyre. Ky ekip, i cili qëndroi në Podgoricë për një javë, ishte krijuar posaçërisht për të ndihmuar aleatin tonë të kundërvepronte ndaj një game të gjerë të sulmeve të ashtuquajtura ‘hibride’, një përzierje të operacioneve të hapura dhe të fshehta, agresionit ushtarak dhe jo ushtarak. Ky është lloji i ndihmës praktike që NATO dhe Aleatët i japin njëri-tjetrit çdo ditë.
Siguria që siguron anëtarësimi në NATO është e pakrahasueshme. Kjo siguri ka qenë themeli i stabilitetit dhe prosperitetit transatlantik për mbi 70 vjet. Në nenin 5 të Traktatit të shteteve tona themeluese thuhet se sulmi ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve. Tani e tutje, Maqedonia e Veriut do të ketë gjithnjë mbështetjen e plotë të 29 aleatëve.
Anëtarësimi në NATO është i mirë për Maqedoninë e Veriut dhe është gjithashtu i mirë për NATO-n. Forcat tuaja të armatosura japin një kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ushtarët tuaj shërbejnë në Afganistan, dhe ata ofrojnë mbështetje të vlefshme për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë.
Maqedonia e Veriut tashmë po përfiton nga integrimi Euro-Atlantik, dhe unë mirëpres vendimin e Bashkimit Evropian për të ftuar Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të filluar bisedimet e anëtarësimit. Investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut pasi vendi juaj u ftua zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO tashmë janë rritur ndjeshëm. Kjo për shkak se qeveria juaj po ndjek rrugën e reformës për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për Maqedoninë e Veriut. Është thelbësore që ajo të vazhdojë në atë rrugë për të siguruar prosperitetin e ardhshëm për të gjithë.
Maqedonia e Veriut tani është pjesë e familjes së NATO-s, një familje me tridhjetë kombe dhe gati një miliardë njerëz. Një familje e bazuar në sigurinë se pa marrë parasysh çfarë sfidash hasim, ne jemi të gjithë së bashku më të fortë dhe më të sigurt.
Mirësevjen në familjen e NATO-s, Maqedonia e Veriut!
(Nga mediat shqipe në Maqedoninë e Veriut, gazeta KOHA ka të drejtën ekskluzive të botimit të këtij shkrimi)