Mirësevini në normalen e re

Sapo të përfundojë kriza pandemike, prisni që shteti të kthehet me më shumë fuqi dhe legjitimitet

9

Nga Sabin Selimi

Imagjinoni skenarin në vijim: një shpërthim i një koronavirusi të ri të transmetuar prej një burimi të panjohur deri tek njerëzit përfundimisht bëhet i transmetueshëm prej një personi në tjetrin, duke u rritur kështu në një pandemi të rëndë. Ky virus është më i transmetueshëm përmes njerëzve me simptoma të buta. Sëmundja në fjalë e ka zanafillën në territorin e Kinës, fillimisht në heshtje dhe ngadalë, derisa më pas fillon të përhapet edhe në mjediset e kujdesit shëndetësor. Kur merr hovin e përhapjes efikasite nga një person në tjetrin, epidemia shpërthen. Ajo eksportohet përmes udhëtimeve ajrore dhe mjeteve tjera të transportit në shumë shtete të tjera të botës. Sëmundja vazhdon të përhapet, dhe përfundimisht asnjë shtet nuk mund ta kontrollojë atë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpall koronavirusin pandemi, e cila shkakton një sëmundje të njohur si Covid-19 që është përhapur në pothuajse çdo cep të botës. Shancat që vaksina të jetë në dispozicion në vitin e parë janë të vogla. Meqenëse i gjithënjerëzimi është i prekshëm, gjatë javëve fillestare të pandemisë, numri kumulativ i rasteve rritet në mënyrë eksponenciale. Derisa rastet dhe vdekjet grumbullohen, pasojat ekonomike dhe shoqërore bëhen gjithnjë e më të rënda.

Kuptohet, skenari i përshkruar më sipër tani është real. Sidoqoftë, i njejti ishte i pamendueshëm vetëm disa javë më parë megjithatë i parandalueshëm, dhe është pikërisht për këtë arsye që kjo krizë pandemike mund të etiketohet si mjellma e bardhë. Mënyra se si shpërthimi dhe pasojat e tij të rënda janë përshkruar gjerësisht është “mjellma e zezë e vitit 2020”. Sidoqoftë, ne jemi duke përdorur metaforën e gabuar të kafshës për të përshkruar situatën aktuale globale. Përkatësisht, termi “mjellmë e zezë” u krijua nga Nassim Taleb, profesor i financave, shkrimtar dhe ish-tregtar i Wall Street. Ai shkroi një libër të famshëm në 2007, Mjellma e Zezë, para ngjarjeve që çuan drejt krizës financiare të vitit 2008. Ai e përshkroi mjellmën e zezë si një ngjarje të paparashikueshme që është përtej asaj që normalisht pritet nga një situatë dhe që ka pasoja të rënda. Sipas Taleb, kriza aktuale pandemike, megjithatë, është mjellmë e bardhë, nëse ndonjëherë ka pasur një të tillë, sepse askush nuk mund ta parashikonte shpërthimin e koronavirusit të ri që ndryshon në mënyrë dramatike rrjedhën e historisë, shoqërisë dhe ekonomisë botërore, megjithatë, më e rëndësishmja, ishte e parandalueshme. Mjellmat e zeza (në rastin tonë mjellmat e bardha) shpesh krijojnë kaos dhe janë nxitëse të ndryshimeve të mëdha. E gjithë kjo shtron pyetjen, si do të duket sistemi ndërkombëtar pas pandemisë?

Territoret e paeksploruara

Sulmet terroriste më 11 shtator 2001 tronditën botën. Kështu ndodhi edhe me krizën financiare të vitit 2008. Asnjëra nuk krahasohet me pandeminë e koronavirusit. Është e rëndësishme të ceket se shpërthimi i këtij virusi nuk është as fundi i botës e as fundi i historisë. Gjithsesi, do të transformojë ndjeshëm sistemin ndërkombëtar që e kemi njohur më parë. Ekuilibri i fuqisë botërore do të ndryshojë, ashtu si edhe e ardhmja e globalizmit. Ky virus vdekjeprurës që po shkatërron botën, po na çon të gjithëve në territore të paeksploruara. Kur të dalim nga bllokimi, duhet të jemi të gatshëm të përballemi me realitetet e reja në botën e re në të cilën po futemi.

Përhapja e shfrenuar e sëmundjes së frymëmarrjes Covid-19 është një dështim i sistemit bashkëkohor ndërkombëtar dhe institucioneve të tij. Një dëshmi e qartë për zbehjen e rëndësisë së Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (UNSC) është fakti që kaloi aq shumë kohë që i njejti të takohet si dhe tepër jokonkluzivisht të diskutojë mbi pandeminë. “Marrëdhëniet mes fuqive më të mëdha nuk kanë qenë asnjëherë më jofunksionale. Covid-19 po tregon në mënyrë dramatike, ose bashkohemi… ose mposhtemi” tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres. Edhe Bashkimi Evropian mbeti i hutuar kur koronavirusi i ri u përhap shpejt, duke filluar nga Italia që u bë epiqendër evropiane. Përderisa shtetet që nuk u preken menjëherë nga pandemia treguan më pak gatishmëri për të koordinuar përpjekjet në suaza të BE-së, Brukseli u duk si humbësi kryesor. Për më tepër, një institucion që mund të drejtojë politikën ndërkombëtare të shëndetit dhe të përgjigjet ndaj shpërthimit në mënyrë efektive është OBSH-ja. Sidoqoftë, në një kohë kur një udhëheqje e tillë globale e shëndetit është urgjentisht e nevojshme, besueshmëria e saj ka marrë një kahje tjetër.

Instikti i parë i çdo ekonomie të madhe – e ndjekur më pas edhe nga ekonomitë tjera – ishte të mbyllnin kufijtë e tyre dhe të fokusoheshin përbrenda. Dobësia strukturore e sistemit ndërkombëtar dhe tronditja e urgjencës shëndetësore do të ushqejë më tej tendencat proteksioniste të shteteve. Ne jemi duke lëvizur drejt një boteje më të vogël. Sapo të përfundojë kriza pandemike, prisni që shteti të kthehet me më shumë fuqi dhe legjitimitet. Prisni që shteti të ndërhyjë më shpesh në çështjet ekonomike për të shmangur burimet e paparashikueshme të furnizimit dhe kërkesën për rezerva emergjente. Reagimi i botës ndaj krizës vërteton pikëpamjen e tyre hobesiane mbi botën. Njerëzit do të duan që shteti të jetë i gjithëpranishëm dhe i gjithëpushtetshëm pasi kërkesa për stabilitet do të rritet. Si pasojë, shoqëritë mund të bëhen më të mbyllura. Bllokimet dhe kufizimet e udhëtimit mund të legjitimojnë retorikën nacionaliste për të ndërtuar mure, qoftë ato fizike apo virtuale.

Një moment i mundësive strategjike për Kinën
Një shtet që ka të ngjarë të dalë më i fortë nga kriza pandemike është Kina. Kur shpërtheu virusi në Wuhan, opinioni kryesor në Perëndim zgjodhi të vëzhgonte krizën me injorancë. Kjo ndryshoi kur Italia e gjeti veten me më shumë se një mijë raste dhe dhjetëra të vdekur. Ajo që dikur filloi si një katastrofë për Kinën, tani po formësohet si një moment i mundësive strategjike për të. Duke pas rastet e infeksioneve të virusit në Kinë gjithnjë e më të vogla në numër, Pekini ka ngritur një ofensivë diplomatike për të dërguar ndihmë mjekësore dhe ekspertizë për shtetet që përpiqen të kontrollojnë pandeminë. Ky është momenti kur Kina ripozicionohet në skenën botërore. Pekini nuk ka gjasa të zvoglojë shpenzimet ushtarake dhe të braktisë politikën e saj të jashtme. Përkundrazi, ai do të zmadhojë situatën dhe do ta bëjë Kinën të duket si një udhëheqese përgjegjëse botërore, duke treguar sesi Nisma “Një Rrip, një Rrugë” është e ardhmja e globalizmit.

“Në vend të integrimit në rendin ekzistues botëror, Kina mund të krijojë një bllok të veçantë ekonomik, me kompani dhe teknologji të ndryshme mbizotëruese, dhe të qeveriset nga rregullat, institucionet dhe modelet tregtare të diktuara nga Pekini,” shkroi Bruno Maçães në librin e tij Një Rrip dhe një Rrugë: Një Rend Botëror Kinez. Ky paragraf është mbështetur nga pjesëmarrja e Xi Jinping në Forumin Ekonomik Botëror në Janar 2017, ku për herë të parë ka ndodhur që një President kinez të mbrojë idenë mbi Kinën si një bastion të globalizmit, këtë herë me karakteristikat kineze. Ky vizion ekonomik është i bazuar në Nismën e “Një Rrip dhe një Rrugë”, e cila synon të rigjallërojë rrugën e lashtë të mëndafshit të përshkuar nga Marco Polo dhe tregtarët tjerë gjatë periudhës së vonë mesjetare. Ky plan sinocentrik ofron një mundësi për Kinën për të rritur fuqinë e saj të butë dhe të fortë.

Numri i rasteve dhe vdekjeve të raportuara nga Pekini sipas të gjitha gjasave keqinterpretojnë shifrat e vërteta. Sidoqoftë, ata arritën të krijojnë një pamje të normalitetit në një periudhë të shkurtër kohore. Derisa ekonomitë në pjesën tjetër të botës janë të ngrira, Kina lejoi që aktiviteti i saj ekonomik të vazhdojë me shpejtësi. Nëse ngrirja ekonomike vazhdon për shumë më gjatë, kompanitë kineze do të jenë në gjendje të zgjerojnë pjesën e tregut dhe mbase edhe të zëvendësojnë disa prej kompanive ekzistuese. Çfarë mund të jetë më e keqja, ekonomitë e mëdha mund të pësojnë një lloj tronditje që çon në kolaps të gjerë politik dhe shoqëror. Kjo do të ofronte një mundësi të përsosur për Kinën për të mbush zbraztirën e krijuar dhe për të ribrenduar këto shtete në imazhin e saj autoritar.

Normalja e re
Tronditjet e mëdha botërore kanë një mënyrë për të zbuluar hendekun mes llojit të sistemit ndërkombëtar që mund të na pëlqen dhe llojit të sistemit ndërkombëtar që ne në fakt e kemi tani. Kriza aktuale e shëndetit publik nuk është përjashtim. Një mësim që mund të nxjerrim nga kriza pandemike është se forcimi i bashkëpunimit botëror dhe reformat do të jenë thelbësore për të parandaluar shpërthimet e virusave në të ardhmen.

Megjithë papërsosmëritë, sistemi ndërkombëtar që i parapriu krizës pandemike ishte prapseprap më i qeti dhe më produktivi që ka njohur historia, duke e lidhur njerëzimin përmes komunikimeve dhe tregtisë, dhe duke nxjerrë miliarda nga varfëria. Por ardhja e koronavirusit ‘Mjellma e Bardhë’ sapo ka filluar ta ndryshojë atë. Në Hong Kong, mbishkrimet thon: “Nuk mund të ketë kthim në normale sepse në radhë të parë normalja ishte problemi”. Mirësevini në normalen e re. (Respublica)

Comments are closed.