Të dhënat e tjera që tregojnë se Maqedonia për gati 4 herë ngec pas mesatares evropiane, ku për ushqime dhe pije harxhohen 12 për qind e buxhetit shtëpiak në raport me mesataren tonë prej 47 për qind. Shkalla e varfërisë prej gati 22 për qind e popullatës, e varfërisë edhe të 9 për qind të të punësuarve dhe 8 për qind të pensionistëve, tregon për nevojën e një përmirësimi më të madh të mirëqenies së popullatës dhe rritjes më shpejtë të standardit të saj jetësor
Nga Fisnik PASHOLLI
Askush nuk e dëshiron mënyrën e re të jetesës që e imponon pandemia e Covid-19. Jetesa me kufizime, me frikë më të vogël apo më të madhe, me ndjekjen e lajmeve lidhur me pandeminë ka ndryshuar jo vetëm jetesën e përditshme, por edhe shprehitë tona të vjetra. I dëshirojmë apo jo, na pëlqejnë apo jo, po jetojmë me shkollat e mbyllura për pjesën më të madhe të nxënësve, me vështirësitë për të fituar shërbimet mjekësore, me tollovitë në trafikun urban në Shkup, me uljen e madhe të mërgimtarëve që vijnë në vendlindje. Epidemiologët thonë se kjo pandemi në rastin më të mirë mund të zgjasë një ose dy vite të tjera, me shpresën se në vitin e ardhshëm do kemi një vaksinë.
Në pritje të vaksinës që sipas parashikimeve që mund të jetë gati në verën e vitit të ardhshëm që do të ulë maksimalisht rrezikun e përhapjes së kësaj sëmundje ngjitëse, të gjitha shtetet në botë në mënyra të ngjashme, por edhe të ndryshme në varësi prej zhvillimit të tyre ekonomik dhe shoqëror, diversitetit kulturor po luftojnë pandeminë. Pandemia përskaj menaxhimit të aspektit të saj shëndetësor shkakton edhe kokëdhembje të mëdha për çdo shtet të menaxhimit të saj ekonomik dhe të funksionimit të shtetit në kushte të rënduara dhe jo të rëndomta.
Tani mbetet që autoritetet të angazhohen edhe tek ndalesat dhe kufizimet e ndryshme, por që nuk do të mbyllin ekonominë, në respektimin më të madh të masave të ndryshme, por edhe në edukimin dhe rritjen e vetëdijes për ruajtjen e shëndetit. Efikase dhe me rezultate të kënaqshme do të ishte bashkërendimi edhe i edukimit të popullatës por edhe i respektimit më të madh të mbajtjes së distancës dhe maskës si mbrojtje nga pandemia, si dhe uljes në minimum të grumbullimit të popullatës.
Si kurrë më parë ajo po na shtyn edhe drejt një debati për shëndetin publik të popullatës, për cilësinë e sistemit arsimor dhe shëndetësor, që edhe në kushte normal funksionon me vështirësi dhe lërë më në këto kushte gati “lufte. Pandemia ka nxjerrë në pah edhe më shumë dobësi të tjera të ekonomisë dhe mirëqenies nën mesatare të qytetarëve.
Analizat tregojnë se Spanja ka viktima të shumta të shkaktuara nga korona virusi si rrjedhojë e banesave të vogla dhe të shtrenjta ku jetojnë sidomos banorët e Madridit. Spanja në vitet të fundit nuk po shkëlqen në aspektin e ekonomisë , ka probleme të mëdha me borxhet, ndërsa edhe të dhënat e Eurostat tregojnë se një familje me katër anëtar fiton 20 mijë euro më pak se një familje e njëjtë gjermane. Njëherazi edhe qiratë gjermane dhe spanjolle janë gati të njëjta.
Nëse i kthehemi realitetit tonë ekonomik, analizat tregojnë se banorëve të Shkupit ju nevojiten 16 vite për blerjen e një banese, me pagë mesatare prej afër 400 euro, dhe me kushtin që një pagë të mos harxhohet për asgjë tjetër, përpos të kursehet për blerjen e banesës, të blejnë një banesë prej 80-90 metra katrorë. Të dhënat e tjera që tregojnë se Maqedonia për gati 4 herë ngec pas mesatares evropiane, ku për ushqime dhe pije harxhohen 12 për qind e buxhetit shtëpiak në raport me mesataren tonë prej 47 për qind. Shkalla e varfërisë prej gati 22 për qind e popullatës, e varfërisë edhe të 9 për qind të të punësuarve dhe 8 për qind të pensionistëve, tregon për nevojën e një përmirësimi më të madh të mirëqenies së popullatës dhe rritjes më shpejtë të standardit të saj jetësor. (koha.mk)