Shkup, 6 dhjetor – Galeria Kombëtare e Maqedonisë të mërkurën ka shënuar 70 vjetorin e ekzistimit. Dita Starova Qerimi, drejtoreshë e Galerisë tha se ky institucion është tempull universal i traditës dhe përfaqësuese e pasurisë, e cila ka lënë një dëshmi të vyeshme të arteve të bukura në rajon dhe më gjerë. Ajo njoftoi se që nga fillimi Galeria me hapësirat e saj kanë ekspozuar ekspozita të piktorëve, mbrëmje muzikore e letrare, në Hamamin e Daut Pashës.
Në këtë ngjarje, fjalë rasti mbajti edhe Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili në shënimin e vitit jubilar të hamamit të Daut Pashës bëri hapjen e një ekspozite të titulluar “Fillimet e paharrueshme” të viteve 1948 – 1956 nga arkivat e Galerisë Kombëtare në Maqedoni.
Pas pjesës ceremoniale, drejtoresha Starova – Qerimi u ndau mirënjohje kryeministrit Zoran Zaev, kryetarit të akademisë Taki Fitit, ambasadorëve, kryetarit të komunës së Çairit dhe disa mediave. Ndër mediat e vendit ajo kishte veçuar edhe gazetën KOHA, si dhe gazetaret Evis Halili dhe Delvina Kërluku, për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënën në sferën e kulturës dhe artit. (D.K)