Emin AZEMI
Pajtimi mund të ndodhë në mes të dy e më shumë personave që paraprakisht kanë qenë të armiqësuar, të grindur, të acaruar. Për këtë definicion nuk ka nevojë të thërrasësh në ndihmë enciklopeditë e ndryshme, por ajo që ka nevojë të ndodhë, tani për tani, këtu në Maqedoni, është përshtatja e këtij definicioni rrethanave aktuale nëpër të cilat po kalon ky shtet. Prandaj, jo rastësisht, përmes këtij termi sikur synohet të dilet te falja, si parazonë që rregullon aspektin etik e ligjor të kësaj problematike.
Faljen fillimisht e përmendi kryeministri Zaev, si ventil që i nevojitej procesit për ta shtendosur situatën në prag të inicimit të ndryshimeve kushtetuese. Nga shumë kush kjo u kuptua si amnisti. Ishin, pastaj, përfaqësuesit e opozitës shqiptare ata që ishin kundër amnistisë “en bloc” të personave të implikuar në ngjarjet e 27 prillit, por parapëlqenin një pajtim të përgjithshëm në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve.
Në fakt, amnistia, është shfajësim ligjor i një vepre penale dhe këtë, jo rrallë, viteve të fundit si instrument e ka përdorur Presidenti i vendit. Maqedonia njihet si shtet që nuk mund të lavdërohet se qëndron mirë me ligjet, mirëpo kur është në pyetje prishja e principeve, ligjet interpretohen kujt si ti teket. Për rrjedhojë, edhe amnistia u kuptua jo njësoj nga të gjithë. Madje, ajo në të shumtën e rasteve edhe u keqkuptua.
Tash së fundmi Parlamenti e refuzoi propozim-ligjin për amnisti të përgatitur nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, që kishte të bënte me personat e përfshirë (inkriminuar) në ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit.
Arsyetimi i këtij grupi parlamentar sa i përket propozim-ligjit në fjalë ishte edhe një ftesë që i bëhej kryeministrit Zaev për një “pajtim të vërtetë kombëtar” dhe “zbatim joselektiv të drejtësisë”.
Paralelisht me këtë, në Parlament është formuar një trupë për pajtim e cila duhet ta përgatis një projekt-ligj për amnistimin e sulmit të organizuar më 27 prill, me çka pritet të shqyrtohen instrumentet juridike për amnisti selektive, siç ka paralajmëruar edhe kryeminstri Zaev.
Gjithkush që mundohet ti gjejë shkaqet se pse pikërisht po kërkohet kjo amnisti, apo kjo falje, nuk e ka vështirë t’ia qëllojë se në rrethana të tjera as që do të bëhej fjalë për një aksion të tillë politiko-juridik. Me fjalë të tjera, pa këtë amnisti të pjesshme, apo selektive, Maqedonia e ka vështirë ta heq nga qafa pengesën kryesore që do ta ingeronte atë në NATO dhe BE, e që është kontesti me Greqinë rreth emrit.
Për shkak të natyrës së saj selektive, me plot dubioza juridike, amnistia, ashtu siç është paramenduar të ndodhë në Parlament, do të mbyll vetëm një vatër krize, por do të lë hapur shumë shtigje për interpretime të dyzuara të problematikave etike e politike, që ndërlidhen me pajtimin e një e më shumë njerëzve në mes veti.
Tani për tani ka një amnisti që shpie në një pajtim të pjesshëm midis maqedonasve, mirëpo Maqedonia shumë shpejt duhet të krijojë parakushte juridike, etike, sociale e politike për një mirëkuptim më esencial në mes të etnive, sidomos në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Pa këtë mirëkuptim, amnistitë selektive do të tingëllonin shumë të njëanshme, pa jetëgjatësi efektesh.