Shkup, 29 nëntor – Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Maqedonisë (SASHK) sot e vlerësoi si të mirë vendimin për tërheqjen e njoftimit paraprak për vendosjen e orarit të punës fiks prej tetë orësh në institucionet për fëmijë. Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov në konferencën e sotme për shtyp tha se kjo nuk është fitore e kryesisë së SASHK-ut, por mirënjohje për unitetin e treguar të anëtarësisë dhe për gatishmërinë që të gjithë së bashku t’i mbrojnë të drejtat e anëtarësisë. Ai tha se SASHK-u ka ndërmarrë aktivitete me të cilat shpejt dhe në mënyrë efektive janë përballur me problemin me, siç tha, njoftimin e javës së kaluar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale drejtuar drejtorëve me kërkesë për vendosjen e orarit fiks të punës në institucionet për fëmijë, që është në kundërshtim me ligjin për mbrojtje të fëmijëve dhe marrëveshjes kolektive për mbrojtje të fëmijëve. Ndaj akuzave të ministres Remenski se SASHK-u në vend që t’i mbrojë interesat e anëtarëve, punon për disa parti në pushtet dhe anëtarësinë e udhëzon në protesta, trazira dhe greva, Nedellkovski tha se SASHK-u absolutisht nuk punon për askënd dhe synon drejt asaj për çka është krijuar, nga parimi i mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të punëtorëve.