Dobësia kryesore të turizmit vendor është fakti se turistët e huaj pak qëndrojnë dhe pak harxhojnë si rrjedhojë edhe e infrastrukturës së pazhvilluar si duhet, ku edhe pas gati 30 vite pavarësi, nuk është ndërtuar autostrada moderne që lidh Shkupin me dy pika të rëndësishme turistike si Ohri dhe Struga
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 tetor – Maqedonia me rritjen e turizmit prej 23.5 për qind në vitin 2017, renditet në vendin e gjashtë në Evropë për zhvillimin turistik të vendit. Para nesh, në pesë vendet e para janë San Marino me rritje prej 31 për qind, Gruzia me rritje prej afër 28 për qind, Izraeli me 24.6 për qind, si dhe Turqia dhe Islanda me rritje prej nga 24 për qind, shkruan gazeta KOHA.
Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Turizmit, përkundër rritjes së turizmit në total, ku vetëm vitin e kaluar na kanë vizituar mbi një milion turistë e që kanë realizuar tre milionë fjetje, megjithatë si shtet po këtë vit kemi fituar vetëm 327 milionë dollarë , apo të ardhura më të mëdha vetëm nga Moldavia që në vitin 2017 ka fituar 312 milionë dollarë nga turizmi.
Të dhënat tregojnë se Ermenia ka fituar 1.12 miliardë dollarë, Bullgaria ka fituar 4 miliardë dollarë dhe Gruzia 2.75 miliardë dollarë. Të ardhura të mëdha kanë realizuar edhe Azerbejxhani me 3 miliardë dollarë, Shqipëria me 1.9 miliardë dollarë, Serbia me 1.3 miliardë dollarë dhe Mali i Zi me një miliardë dollarë, etj.
Të ardhurat më të mëdha nga turizmi në rajon i ka Greqia me mbi 16.5 miliardë dollarë, e pasuar nga Kroacia me afër 11 miliardë dollarë dhe Izraeli me 6.8 miliardë dollarë.
Në ndërkohë, subvencionet për tur-operatorët që sjellin turistë të huaj, udhëtimet e lira me avion deri në Maqedoni, promovimi i shtetit si destinacion turistik atraktiv, si dhe masat e tjera qeveritare, kanë rritur numrin e turistëve të huaj në Maqedoni, por megjithatë – në mesatare qëndrojnë disa ditë në Maqedoni dhe vizitojnë kryesisht vetëm disa pika turistike.
Prurjet e dobëta nga turizmi janë konfirmuar edhe nga anketa e Entit të Statistikës së Maqedonisë. Ajo ka konfirmuar se dobësia kryesore të turizmit vendor është fakti se turistët e huaj pak qëndrojnë dhe pak harxhojnë si rrjedhojë edhe e infrastrukturës së pazhvilluar si duhet, ku edhe pas gati 30 vite pavarësi, nuk është ndërtuar autostrada moderne që lidh Shkupin me dy pika të rëndësishme turistike si Ohri dhe Struga. Sipas anketës së Entit të Statistikës, më mirë është vlerësuar sjellja e njerëzve, ndërsa më dobët është vlerësuar rrjeti rrugor dhe higjiena në vendet publike. Njëherazi, turistët e huaj nëpër hotele në mesatare kanë harxhuar afër 150 euro apo 9040 denarë.
Vendosja e ofertave të reja për tërheqjen e turistëve të huaj, përkrahja dhe nxitja e turizmit alternativ, orientimi ndaj koncerteve dhe manifestimeve kulturore jashtë sezone, rritja e vetëdijes për higjienën, edukimi i popullatës lokale ku gravitojnë turistët janë vetëm disa nga propozimet e esnafit të turizmit për zhvillimin e tij në periudhën e ardhshme në Maqedoni.
Punëtorët e turizmit vlerësojnë se në Maqedoni funksionon vetëm turizmi i qyteteve dhe i liqeneve që nuk është i mjaftueshëm të rritet kontributi i turizmit për zhvillimin e ekonomisë vendore. Andaj, në të ardhmen mbetet të punohet më shumë edhe në zhvillimin e turizmit malor lidhur me gjuetinë dhe peshkatarinë.
Sfidë tjetër për turizmin vendor është që të punohet në atë drejtim që Maqedonia të sjellë turistë të huaj gjatë 12 muajve të vitit dhe jo vetëm të fokusohet në sezonin e verës. Vlerësohet se në të ardhmen, nevojitet një angazhim më i madh në nivel institucional, por edhe të punëtorëve të turizmit me qëllim të rritjes së qëndrimit të turistëve jo vetëm në Shkup dhe Ohër, por edhe në viset tjera, si dhe paketimi më i mirë i eventeve të ndryshme kulturore apo gastronomike në favor të tërheqjes më të madhe të turistëve të huaj. (koha.mk)