E parashikueshme ishte që stili i Zaevit dhe Mickovskit të ishte ai që kishin kultivuar dikur Cërvenkovski dhe Georgievski, me shumë ironi e pickime “jashtë tematike” (kur njëri i thoshte tjetrit se pin uiski e ky ia kthente me kokainë!). Të dytë, si dy boksierë në ring, u përpoqën t’u ruhen goditjeve të ulëta, të cilat vijnë në trajtën e të vërtetave të pakëndshme, ndaj dhe u përpoqën ta hedhin njëri tjetrin kodër më kodër
Nga Daut DAUTI
PËRBALLJA E TITANËVE…
Është përcepcion personal, por nuk është keq ta ndiqni si shembull. Ndihmon si terapi e mendjes. Sa më pak preokupim me oratorinë e politikanëve, më rehat kryet! Dhe nuk bie në trans nga fjalët e tyre(“a e pe çka i tha ky atij?”). Larg qoftë, si simpatizantë partiakë të cilëve u ngrohet shpirti nga fjalët e liderëve të tyre. Si qytetarë na është stërmbushur veshi fjalime, akuza, sulme e kundërsulme, dhe mbi të gjitha, demagogji. Pas tri dekadash, nuk ka mbetur pothuajse asgjë e panjohur.
Prandaj dhe nuk rashë fort në trans nga dueli televiziv Zaev-Mickovski. Edhe pse, e meritoi të epitetin dueli i dekadës. Mua që të dytë më janë simpatikë, ngaqë në dallim nga pararendësit e tyre, këta po komunikojnë! Në këtë kontekst, më shumë falë Zaevit se Mickovskit. Ngaqë Zaevi me pranimin duel me liderin e opozitës, ndërpreu një praktikë të mbrapshtë të Gruevskit. Ju kujtohet kur ka qenë dueli i fundit i Gruevskit me ndonjë lider opozite? Mua nuk më kujtohet. Më kujtohen me dhjetëra intervista (monologje) të tij te “Janko burek-u”, te Llatasi e madje edhe te Milenkoja e Dragan Tomiqi, shpesh i shoqëruar me Mirka Nacionalen për të gjitha kohët. Dragan Tomiqi, në fascinimin e pakufi ndaj jetës dhe veprës së Grujos, ia la nofkën “pastir”(bari, udhëheqës shpirtëror në kuptimin blblik), si një Mojsie ose Krisht i dytë, Shpëtimtar i Kombit që do ta çojë popullin përtej Golgotës. Sikur t’i ishin sulur popullit të tij me firaunë e me romakë dhe ai po ia tregonte rrugën e vërtetë. Në këto 11-12 vjet qeverisje të VMRO-së, ishte sjellë gjer në absurd debati midis Gruevskit dhe oponentëve të vet. Gjithçka që kishte t’u thoshte, ua thoshte nëpërmjet mediave që i ngopte me para qeverie në emër reklamash e fushatash mediale! Atje jepte intervista me pyetje që i pëlqenin, për të mos thënë të porositura, pa pasur përballë oponentë të vërtetë. Prandaj dhe dueli televiziv midis Zoran Zaevit, lider i LSDM-së dhe njëkohësisht kryeministër dhe liderit të ri të VMRO-së, Hristijan Mickovski, shënon një kulturë të re komunikimi midis pushtetit dhe opozitës. Për më tepër, ngase Zaevi duelin e pranoi në një televizion i cili më parë konsiderohej e afërt me VMRO-në.
Edhe diçka tjetër që vlen të theksohet, kur është në pyetje ky gjest i tyre, është një fakt se dueli televiziv është vijim i debateve të ashpra politike që zhvillohen në relacionin pushtet opozitë qe dy vjet e më shumë, si dhe vjen përkundër të gjitha acarimeve në këtë relacion. Madje dhe për të shënuar një trend tjetër që nuk ka qenë fort pjesë e kulturës politike më parë, që për disa çështje për të cilat negociojnë, edhe ndoshta të gjejnë gjuhë të përbashkët, edhe pse nuk do të duhej të pritej aq nga një VMRO që e ka djegur tëmbli dhe tash mund t’i fryjë kosit. Dhe i fryn sa të jetë e mundur, nga pozita e opozitës së shkarkuar nga përgjegjësitë e mëdha shtetërore.
Sa i përket përmbajtjes së debatit të këtyre dy politikanëve, vlen qëndrimi se kur të dalin para kamerave, mos prit diçka të pathënë prej tyre! Prandaj dhe gjithë çka thanë ata, ishte e parashikueshme. E parashikueshme ishte edhe stili që dikur e kishin kultivuar Cërvenkovski dhe Gergievski, me shumë ironi e pickime “jashtë tem duke u marrë me personalitetin e tjetrit” (kur njëri i thoshte tjetrit se pin uiski e ky ia kthente me kokainë!). Të dy liderët e kohës sonë, u munduan t’i mëshojnë kundërshtarit në pikat e dobëta. Natyrisht, i kanë që të dytë dhe si dy boksierë në ring, u përpoqën t’u ruhen këtyre goditjeve të ulëta e të papritura, të cilat vijnë në trajtën e të vërtetave të pakëndshme, ndaj dhe u përpoqën ta hedhin njëri tjetrin kodër më kodër. Zaevi, më shumë se Mickovski, ka hendikepe për të dhënë përgjigje para popullit, sepse tashmë e ka shkelur dy vjetëshin e pushtetit dhe ka realizuar disa projekte politike që u hyri me guxim, por që janë paragjykuar te një pjesë e maqedonasve. Ndaj dhe u përpoq të mbrojë marrëveshjen me Greqinë, siç e bën në çdo rast. Por te çështja e drejtësisë selektive, sikur bridhte andej-këndej (eskivazhë boksieri), duke u arsyetuar me gjyqet. Pika e dobët e Mickovskit, në çka insistonte Zaevi të marrë përgjigje (sikur ky të ishte udhëheqës i debatit, i shtroi disa herë pyetje të tilla për ta dekoncentruar Mickovskin, i cili ndonjëherë edhe binte në grackë), ishte se çka do të bëjë me Marrëveshjen e Prespës, që pas shumë eskivimeve (prapë analogji boksierësh) nuk pati nga t’ia mbante, duke dhënë një përgjigje tërthorazi se “ne nuk jemi si talebanët”. Sigurisht, iu mbetet shikuesve të nxjerrin përfundimin ç’donte të thoshte. (Dy ditë më pas, doli në shesh se amendamentet për Ligjin për Prokurorinë Publike Speciale që ia kishin dërguar ministres së Drejtësisë, VMRO-ja i kishte shkruar me emrin e ri të shtetit!).
Ky debat, natyrisht, nuk do të ishte interesant për publikun pa goditje të ulëta dhe që të dytë nuk hezituan t’i japin, si dikur Georgievski me Cërvenkovskin. Kur u fol për nepotizmin, Zaevi ia kujtoi Mickovskit që paska qenë asistent i babait të tij, dhe ky i dyti ia përkujtoi Zaevit vjedhjen e rrymës nga ana e të jatit. Por, pati dhe insistime gjer në banalitet nga të dytë, si ajo çështja e licitimit kush do të japë dorëheqje nëse kandidati presidencial humbë. Të tjerët më parë qëndronin me vite në pushtet edhe pse humbnin në zgjedhje, kurse këta dy, njëri më i mençur se tjetri, donin të merrnin premtimin nga tjetri që pas dy tre vjetësh karrierë ta çojnë oponentin në pension. Pritni pak, ku nguteni?
Meqë publiku i gjerë e ka parë debatin, nuk kam ndërmend të parafrazoj gjithë çka u tha, por dua të theksoj edhe një herë që dueli i tyre shënon një kthesë në komunikimin publik midis politikanëve te ne pas më shumë se dhjetë vjetësh mos dalje në mejdan nga ana e Gruevskit. Dikush tha se këta dy mund të jenë shembull edhe për politikanët shqiptarë, në të gjitha trojet, por dhe këtu në Maqedoni, të sikur nuk duan t’i dalin përkarshi njëri tjetrit.
ABYLFETA ALIMI, PENG I DREJTËSISË
Mickovski dhe Zaevi kishin çka t’i përplasnin në fytyrë njëri-tjetrit. Mickovski kishte shkuar i përgatitur për t’ia thënë troç ato që partia e tij i adreson si akuza vazhdimisht nëpër debate parlamentare e konferenca shtypi, sa për të mbrojtur veten edhe më shumë për të akuzuar se asgjë nuk dallon pushteti i Zaevit nga ai i VMRO-së, bile edhe me keq. Ai bukur shumë e eksploatoi çështjen e “gjykimeve politike”, revanshizmit dhe drejtësinë selektive. Në këtë kontekst, ra në sy një krahasim interesant, atë të dënimeve prej mbi 200 vjetësh për të dyshuarit për 27 prillin për terrorizëm, kundrejt dënimeve të vogla për terrorizëm (pjesëmarrje në ISIS-vër.ime).
Në të vërtetë, ka vend për krahasime dhe kjo dëshmon për atë se nuk janë pa bazë debatet mediatike e politike për qasjen selektive të drejtësisë sidomos në rastin e 27 prillit. Këtë e përforcoi javën që shkoi protesta për lirimin e Abdylfeta Alimit, pjesëtarit të sigurimit të Kuvendit, i dënuar me shtatë vjet, por që prokurorja nuk është e kënaqur me këtë, do të kërkojë edhe më shumë! Hajde, hajde… Ja pra, ta krahasojmë “terrorizmin” e tij, me veprën që ka pikëtakime me atë që tronditi gjithë botën në Siri e Irak, ku disa imamë të këtushëm kishin bërë rekrutim për radhët e Isisit, e që kaluan me dënime shumë më të ulëta se shtatë vjetët e Abdylfeta Alimit. Krahasimi nuk pushon këtu me imamët e dënuar për ndihmesë terrorizmi, sepse A.Alimi ka pasur një çelës në dorë dhe ua ka dhënë disa personave me pozicion të lartë zyrtar, deputetë. Ata pastaj me atë çelës e kanë hapur derën ku janë futur turmë njerëzish, prej të cilëve dikush ka demoluar orenditë Kuvendit, disa të tjerë kanë sulmuar deputetë, e ndonjë më “trim” edhe ka tentuar të bëjë vrasje!
Dhe tash kemi këtë situatë: Abdylfeta Alimi dënohet me 7 vjet burg, ndërkohë që ata që e kanë marrë çelësin prej tij, dhe që e kanë kryer drejtpërdrejt veprën (i kanë hapur dyert), janë të lirë dhe “të mbrojtur me ligj”, si arushat e rralla në një mal të shpeshtë! Kjo, edhe më tepër, për t’iu dhënë përgjigje gjithë atyre që thonë se “Abdylhalimi është fajtor se e ka dhënë çelësin”.
Ditë më parë ndodhi një akt i vërtetë i terrorizmit në Zelandën e re ku u vranë 50 njerëz, por jo me çelës si të A.Alimit. Padrejtësia në rastin e tij fillon në vetë kualifikimin e veprës dhe përfundon në selektivitetin e ndëshkimit të tij kundrejt lirimit të disa të tjerëve që janë më fajtorë se ai. Pas këtij rasti, nuk mund të ketë kurrfarë reforme në drejtësi, aq më tepër kur del prokurorja dhe flet se si sigurimin e Kuvendit e paskan kapur kamerat duke e dhënë çelësin, ndërkaq gjithë publiku i Maqedonisë të parët që i ka parë në kamerë kanë qenë deputetët të cilët me ligj u liruan nga fajësia. Lirimi i deputetëve që hapën dyert vetëm pse janë deputetë, kundrejt një sigurimi të thjeshtë, është padrejtësia tjetër që na kthen në shekuj të errët të mesjetës kur ligjet nuk kanë vlejtur për të gjitha klasat! Të përkujtojmë se deputetët që u liruan ishin pjesë e subjektit që e krijoi rrëmujën në parlament dhe rrezikoi jetë njerëzisht dhe sigurinë e vendit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)