Shkup, 12 janar – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dje me 69 vota “pro” e miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve.Ligji është votuar edhe me shumicë të dyfishtë, gjegjësisht për të votuan 27 deputetë prej bashkësive jo shumicë, ndërsa një abstenoi.
Ligji është sjellë pa prezencën e deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët nuk marrin pjesë në punën e Kuvendit në shenjë revolte për arrestimin e pesë kolegëve të tyre dhe qytetarëve të tjerë për pjesëmarrje në incidentet në Dhomën ligjdhënëse më 27 prill të vitit të kaluar.
Enigmatike është nëse presidenti Gjorge Ivanov do ta nënshkruajë dekretin për ligjin duke pasur parasysh qëndrimet e tij në fjalimin vjetor para Kuvendit. Sipas tij, ligji për gjuhët paraqet kanosje për unitetin e shtetit dhe e shkel Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.
Debati për ligjin për gjuhët në Kuvend filloi më 5 shtator vitin e kaluar në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e miratoi përdorimin e sjelljes së tij më 15 nëntor të vitit të kaluar.
Kundër ligjit ishte VMRO-DPMNE-ja opozitare me elaborimin se është jokushtetues dhe diskriminues në raport me gjuhën maqedonase dhe gjuhët e tjera të cilat i flasin qytetarët në Maqedoni.
Përkundër opozitës, propozuesi dhe deputetët e shumicës, gjatë debatit porositën se ligji është pjesë e rrugës së integrimeve euroatlantike të Maqedonisë dhe në asnjë mënyrë nuk e shkel as Kushtetutën e as karakterin unitar të shtetit.
Deputeti i BDI-së Artan Grubi pas miratimit të ligjit të gjuhës shqipe në Kuvend deklaroi se miratimi i këtij ligji është sukses i përbashkët i deputetëve në Kuvend me të cilin përfundon pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit, deklaroi
“Që nga java e ardhshme edhe mbishkrimi në Kuvendin, në Qeveri do të jetë edhe në gjuhën shqipe dhe kjo është e drejtë ligjore. Ligji aktual është shtrirje maksimale në kuadër të kornizës që e lejon kushtetuta”, ka thënë Grubi në pres-konferencë.
Grubi i ka falënderuar të gjithë ata që kanë votuar “pro”, por edhe ata të cilët nuk kanë votuar “kundër” ligjit.
“Vlerësoj se ligji është i përkrahur nga të gjitha palët, pasi që të gjithë partitë janë nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit. Pres që opozita ta përkrahë këtë ligj, edhe pse nuk ishin në Kuvend gjatë kohës së votimit. Me këtë ligj do të fitojë Maqedonia, ndërkaq do të relaksohen marrëdhëniet ndëretnike, do të mbyllen shumë tema të cilat dalin nga pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit”, thotë Grubi.
Grubi pret që ligji të nënshkruhet edhe nga presidenti Ivanov, prej të cilit pret përfundim pozitiv.
“Nëse Ivanov nuk e nënshkruan ligjin dhe merr pozitë kundër Marrëveshjes së Ohrit, ligji përsëri do të kthehet në Kuvend, ku përsëri do të votohet. E ftoj Ivanovin të jetë pjesë e tregimit të suksesshëm për rrumbullakësimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, tha Grubi.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti, miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve e cilësoi si një festë të madhe për të gjithë shqiptarët.
Sipas tij me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve sot u kurorëzua pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2001.
“Nga sot, gjuha shqipe është e barabartë me gjuhën maqedonase dhe ky akt i sotëm i deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë paraqet një festë të madhe për të gjithë ne. Nga ky vendim ka fituar Maqedonia dhe të gjithë qytetarët e vendit meqë mbyllet një kapitull shume i rëndësishëm për vendin tonë”, theksoi Ahmeti.
Grupi i deputetëve të Besës e mbështeti Ligjin për përdorimin e gjuhëve edhe pse me të nuk zyrtarizohet përdorimi i gjuhës shqipe, deklaroi deputetit Fadil Zendeli në Kuvend pas miratimit të Ligjit.
“Ne si grup parlamentar më parë kemi deklaruar se do ta mbështesim ligjin dhe sot votuam, siç kemi votuar për ligjin edhe në lexim të parë, edhe pse për të kemi vërejtje. Konsiderojmë se me këtë ligj nuk zyrtarizohet gjuha shqipe, por ka vetëm një avancim të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore”, tha Zendeli.