Shkup, 23 korrik – Deputetët pasdite në kuadër të seancës së 106-të i kanë miratuar ligjet për ratifikimin e marrëveshjeve mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë për hapjen e dy vendkalimeve kufitare, njëra mes Majden në shtetin tonë dhe Promahoi në Greqi, ndërsa e dyta është për rajonin e Liqenit të Prespës, respektivisht VK Markova noga – VK Lemos.
Këto dy ligje për ratifikimin e Marrëveshjes vijnë si rezultat të iniciativës së përbashkët të deputetëve nga të gjitha grupet parlamentare. Siç thanë ata, vendkalimet kufitare do të jenë me rëndësi të jashtëzakonshme për këmbimin ekonomik dhe tregtar mes dy shteteve dhe të rëndësishme për turizmin dhe për qytetarët të cilët jetojnë nga të dy anët e kufirit.
Marrëveshja për vendkalimin kufitar Majden – Promahoi është lidhur më 2 prill të vitit 2019 në Shkup, në bazë të Marrëveshjes së Prespës. Në të parashikohet që të dy shtetet në territorin e tyre të ndërtojnë dhe rikonstruojnë rrjet adekuat rrugor, si dhe tërë infrastrukturën tjetër të nevojshme për funksionimin e vendkalimit kufitar.(koha.mk)