Marrëveshja midis ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe presidenti Gjorgje Ivanov nuk ka shkuar aq lehtë. Konkretisht, temë e mosmarrëveshjes siç merret vesh, kanë qenë propozimet për Vllado Buçkovskin dhe Lubomir Frçkovskin, i pari për ambasador në Uashington dhe i dyti në OSBE në Vjenë
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 6 nëntor – Është arritur marrëveshja për raundin e ardhshëm të ambasadorëve të cilët do të mbulojnë gjashtë nga 30, në këtë moment vende të zbrazëta të ambasadorëve në rrjetin diplomatik të Maqedonisë. Por, megjithatë – marrëveshja midis ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe presidenti Gjorgje Ivanov nuk ka shkuar aq lehtë, shkruan gazeta KOHA. Konkretisht, temë e mosmarrëveshjes siç merret vesh, kanë qenë propozimet për Vllado Buçkovskin dhe Lubomir Frçkovskin, i pari për ambasador në Uashington dhe i dyti në OSBE në Vjenë, propozime këto për të cilat Dimitrov ka theksuar që nuk janë të tijat, por janë propozime të insistuara nga vet kryeministri Zoran Zaev.
Megjithatë, pavarësisht nga kjo, Ivanovi ka qëndruar në mendimin e tij se nuk e konsideron Frçkovskin dhe Buçkovskin për persona kredibil, të cilët do të kishin mundur ta përfaqësojnë Maqedoninë në mënyrë adekuate në nivelin më të lartë të ambasadorëve. Ajo që është arritur në marrëveshjen e përbashkët është që Qeveria t`i përcaktojë kandidatët për ambasadorë në Madrid, Budapest, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe OSBE në Vjenë, ndërsa Ivanovi të nominojë ambasadorë në NATO dhe Kiev. Në Budapest, për ambasador do të emërohet Goran Stefçevski, diplomat karriere, njohës i Evropës juglindore, ndërsa i shpërblyer për pjesëmarrjen e tij në përgatitjen e Marrëveshjes së Nivicit.
Në Madrid pritet të shkojë Oliver Krliu, diplomat karriere, dhe i afërt i ministrit Dimitrov që nga koha e shërbimit të tyre të përbashkët në ambasadën e Uashingtonit. Në Abu Dabi është propozuar Abdulkadër Memedi, diplomat karriere, i afërt me BDI-në. Në OSBE, në Vjenë do të udhëtojë Igor Xhundev, diplomat karriere, ekspert për organizata ndërkombëtare dhe kuadër i LSDM-së. Në Kiev, si propozim i presidentit Ivanov, do të udhëtojë Krum Efremov, diplomat karriere, bashkëpunëtor i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Tregtisë.
Në NATO do të udhëtojë Mira Krajaçiq, diplomat karriere, me një mandat në Kopenhagë dhe pesë vite si këshilltare e ministrit në misionin pranë NATO-s në Bruksel, ndërsa tash si femra e parë ambasadore në Maqedoni në NATO, si propozim i Ivanovit. Gjatë këtyre marrëveshjeve është diskutuar edhe për Danço Markovskin, diplomat me përvojë si propozim i mundshëm për ambasador në Tiranë (momentalisht është në krye të detyrës), ndërsa Ivanovi nuk ka kundërshtuar.
Megjithatë, për Markovskin, siç merr vesh gazeta KOHA, ka mosmarrëveshje midis ministrit Dimitrov dhe sekretarit në MPJ, Viktor Dimovski. Si anëtar i LSDM-së në MPJ, Dimovski ka vënë “veto” për Danço Markovskin, me vërejtje se në mandatin e parë të qeverisë së Gruevskit, ai ka kaluar nga LSDM në partinë e Tito Petkovskit dhe ka qenë shumë bashkëpunues me ministrat e VMRO-së. Në mënyre të ngjashme ka mbet “peng” edhe emërimi i Sashko Todorovski (bashkëshorti i Mirjana Najçevskës), i cili nuk ka marrë notë kaluese që të bëhet ambasador i OBSE-së ose në Këshillin e Evropës. Ndryshe, në seancën e saj të fundit, Qeveria miratoi propozimet për gjashtë ambasadorë, ndërsa vijon procesi për akreditimin me shtetet ku do të dërgohen. Ndërkohë, rrjeti diplomatik i Maqedonisë është gjysmëbosh si asnjëherë më parë që nga pavarësia e deri më sot.
Përveç që nuk kemi ambasador në Tiranë, Beograd, Prishtinë, Sarajevë, Zagreb dhe Lubjanë, të zbrazëta janë edhe ambasadat e Maqedonisë në Uashington, Peking, Bruksel, Romë, Pragë, Vatikan, Hagë, Tokio, Kopenhagë, Tel Aviv, Kombet e Bashkuara, Stokholm, Talin, Astana, Doha, Nju Delhi, Kanbera dhe Kajro. (koha.mk)