Shkup, 11 janar – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në kuadër të disa seancave plenare miratoi disa vendime ligjore. Për këto ligje, debati përfundoi të martën, por për shkak të mospasjes së kuorumit votimi u caktua për sot.
Në kuadër të seancës së 11-të u miratuan ndryshimet e Ligjit për kulturë, Ligjit për regjistrim të pagesave të gatshme dhe ndryshimet e Ligjit për siguri të komunikacionit në rrugë, të gjithë me procedurë të shkurtuar. Propozim-ndryshimet e Ligjit për mbrojtje nga pirja e duhanit të cilat janë në rend dite të kësaj seanca, siç paralajmëroi kryetari i Kuvendit, do të shqyrtohen pasi të kalojnë në Komisionin kuvendor juridiko-ligjdhënës. Në kuadër të seancës së 13-të u miratua Ligjit për tregti të tregjeve të gjelbra, ndërsa në kuadër të seancës së 27-të u pranuan ndryshimet e Ligjit për sigurim të obligueshëm pensional të financuar kapital në lexim të parë.
Kuvendi në kuadër të seancës së 15-të e pranoi në lexim të parë edhe Propozim-ligjin për ndërprerje të vlefshmërisë së Ligjit për artist kombëtar të Republikës së Maqedonisë.