Me Mirën biseduam për shumë gjëra, po bën vite në skenën shqiptare, si një profesioniste e vërtetë ajo po bën gati dhe albumin e radhës me këngë të bukura shqipe, ndërkohë që zbulon se është në përfundim të një kënge në gjuhën angleze që do jetë për tregun ndërkombëtar
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Jemi në fillimet në muzikë, si kanë qenë për ty duke e ditur që ke kultivuar muzikën e pastër shqipe?
Fillimi im ka qenë i përkryer, si nxënësja më e dalluar e shkollës dhe konkurset që morra pjesë i kisha me fitore.
KOHA: Gjithsesi, publiku është ai që jep gjykimin më të drejtë…Si ndikoni në jetën dhe perceptimi tek publiku?
Jam e lumtur që publiku më do dhe adhuron gjithmonë në të gjitha rrymat e mia të ndryshme muzikore sepse unë quhem këngëtare universal, kam dëshirë të jem gjithmonë me energji pozitive dhe ashtu të transmetoj tek të tjerët. Gjithmonë e kam thënë që me punë dhe të jesh njeri i mirë arrihen të gjitha gjërat në jetë.
KOHA: Mendon se ia “rrëmbeve” zemrat atyre me muzikë, a ke menduar për ndonjë profesion tjetër?
Sigurisht që me muzikë por edhe fotografinë nuk e lë anësh sepse është pjesë e muzikës për reklamat e koncerteve, albumeve, tani pres të nxjerr albumin tim të 5-të.
KOHA: Ç’vend zë muzika në jetën tënde?
Muzika për mua ka një vend shumë të rëndësishëm, sepse e kam profesion, ku jam e diplomuar dhe pasion.
KOHA: Zgjohesh me këngë në mëngjes?
Kënga për mua është në secilën kohë në mendjen time, kohës së fundit dëgjoj hitet e J.Lo.
KOHA: Cili është vendi më i bukur në botë për ty?
Për mua vendi më i bukur në botë është Shqipëria që gjithmonë e shoh mirë e më mirë për njerëzit që punojnë dhe kontribuojnë për një gjë të tillë.
KOHA: Hera e fundit kur ke qenë në pushime?
Momentalisht këtu kur gjejë kohë sepse kam qenë shumë e angazhuar me koncerte të ndryshme si në vend ashtu dhe jashtë isha dhe në Miami Beach kur këndova në SHBA, gjeta disa ditë kohë për pushim.
KOHA: Shumëkush, sidomos person publik, nuk e ka luksin e të qenit i “pagjykuar”! Vlen e njëjta gjë edhe për ty?
Një artist i vërtetë asnjëherë nuk paragjykohet, në skena gjithmonë kam dashur të jem vetja.
KOHA: Gjëja që doni më shumë në punën tuaj?
Të këndoj në skena gjithmonë e më të mëdha si brenda dhe jashtë vendit.
KOHA: I keni qejf fëmijët?
Po më pëlqejnë sigurisht, por akoma mbase nuk ka ardhur moment i duhur për të patur.
KOHA: Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?
Të jem pozitive si person dhe shumë këshilla tjera prindërore.
KOHA: Gjëja e preferuar që dëshiron të bësh çdo të diel?
Të dielave në qoftë se e kam të lirë dal me shoqërinë time.
KOHA: Libri i fundit që ke lexuar?
Danielle Stell, “Dekorata”.
KOHA: Hera e fundit që ke qeshur aq shumë, sa të kanë dalë lot?
Me disa miket e mia.
KOHA: Flitet që je duke punuar paralelisht për këngë të reja. Mund të dimë më shumë detaje rreth tyre?
Do t’i lë surprizë për publikun, së shpejti kam xhirimet e këngës sime më të re në gjuhën angleze.
KOHA: Në shtëpi krahas ndjenjës komode, çfarë bën?
Me njerëzit e familjes shpenzoj atë pak kohë që më mbetet nga angazhimet e mia profesionale.
KOHA: Pasi i vendosni kyçin derën, lini jashtë saj edhe çështjet e problematikave në punë apo i merrni me vete?
Zakonisht problematikat e profesionit i zgjidhë atje në vend ku duhen zgjidhur që mos t’i marr me vete.
KOHA: Kuzhina është një pasion tjetër i yti, të cilin jo të gjithë e njohin. Çfarë të tërheq më shumë në këndin e gatimit?
Po është e vërtetë që e njoh artin e gatimit dhe të shijoj por nuk më ngelet kohë për gatim sepse muzika është profesion që kërkon shumë punë.