Mira Furlan, një jetë për skenën dhe tolerancën

74

Mira Furlan ishte versioni jugosllav i Sophia Lorenit dhe Brigitte Bardot. Edhe në vitin 2018, kur Mira Furlan, tashmë mbi 60-vjeçare, shëtiste nëpër qendër të Zagrebit, sharmi i saj tërhiqte shikimet e fotografëve dhe kalimtarëve. Mediat bulevardeske të hapësirës jugosllave e quanin “seks-simbol të Jugosllavisë”, “ëndërr të shumë burrave”. Këto etiketa me gjasë nuk i kanë bërë shumë përshtypje Mira Furlanit. Ajo dy gjëra i çmonte më së shumti në jetë: aktrimin dhe tolerancën

Nga Enver ROBELLI

Shumë njerëzve në Ballkanin perëndimor, më saktë në viset e ish-Jugosllavisë, emri i Mira Furlanit u thotë diçka dhe shumëçka. Furlan ka qenë njëra prej aktoreve më të mira të hapësirës së Jugosllavisë. E lindur më 1955 në Zagreb në një familje liberale kroate, ajo shkëlqeu në shumë skena teatri dhe në shumë role filmash, ajo ishte yll i kinematografisë, e adhuruara e mediave dhe e shikuara syhapur sidomos nga burrat prej Trigllavit të Sllovenisë deri në Gjevgjeli të Maqedonisë (sot veriore), përfshirë, natyrisht, edhe Prishtinën e viteve 70-të dhe 80-të, kur Zagrebi për shumë të rinj dhe të tjerë nga Kosova ishte pak më shumë se qytet, ishte qendër kulturore dhe arsimore si dhe vatër debatesh e angazhimesh politike.

Mira Furlan ishte versioni jugosllav i Sophia Lorenit dhe Brigitte Bardot. Edhe në vitin 2018, kur Mira Furlan, tashmë mbi 60-vjeçare, shëtiste nëpër qendër të Zagrebit, sharmi i saj tërhiqte shikimet e fotografëve dhe kalimtarëve. Mediat bulevardeske të hapësirës jugosllave e quanin “seks-simbol të Jugosllavisë”, “ëndërr të shumë burrave”. Këto etiketa me gjasë nuk i kanë bërë shumë përshtypje Mira Furlanit. Ajo dy gjëra i çmonte më së shumti në jetë: aktrimin dhe tolerancën.

Në serinë “Qyteti i pamposhtur” (mbi Zagrebin në Luftën e Dytë Botërore) Furlan luan bashkë me Faruk Begollin (dhe aktorë të tjerë të asaj periudhe jugosllave). Faruk Begolli luan rolin e Ivo Llola Ribarit, komunistit të njohur kroat dhe njërit prej bashkëpunëtorëve më të besueshëm të Josip Broz Titos. “Qyteti i pamposhtur” u emitua në vitin 1981. Bashkë me Begollin Mira Furlan do të luajë edhe në serinë “Vuk Karagjiq” (në fund të viteve 80-të). Në filmin “Babai në udhëtim zyrtar” të Emir Kusturicës (kur Kusturica ishte regjisor dhe akoma jo fashist serbomadh), Mira Furlan luan bashkë me yjet e kinematografisë së atëhershme jugosllave: Miki Manojlloviqin, Mirjana Karanoviqin, Mustafa Nadareviqin (i cili vdiq së fundi), Pavle Vujishiqin. Më 1985 “Babai në udhëtim zyrtar” fitoi Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë (Cannes) të Francës.

Në fillim të viteve 90-të Mira Furlan nuk pranoi të bëhet pjesë e lojërave nacionaliste. E martuar me Goran Gajiqin, regjisor me prejardhje serbe nga Zagrebi, ajo vazhdoi të luajë si në Zagreb ashtu edhe në Beograd. Për këtë u godit ashpër nga nacionalistët kroatë. U përzu nga puna në Teatrin Kombëtar Kroat (HNK), pastaj autoritetet ia morën edhe banesën që e kishte trashëgimi nga gjyshja. Mira Furlanit nuk i mbeti rrugë tjetër përveç mërgimit. Iku me burrin e saj dhe djalin e përbashkët në SHBA. Në një letër të hapur drejtuar opinionit të atëhershëm jugosllav ajo protestoi dhe shprehu zhgënjimin e thellë për mungesën e kurajës publike për t’iu kundërvënë helmit nacionalist. Në një intervistë dhënë televizionit kroat më 2008 Furlan tha: “Publikisht më kanë linçuar. Njerëzit drejtonin gishtin kah unë. Më quanin njeri ‘shizofren’. Nuk kam harruar, sepse harresa nuk i shëron plagët. U desh të largohem nga këtu për të shpëtuar veten”.

Në SHBA Furlan ia nisi nga fillimi. Skena e teatrit dhe rolet në filma ishin diçka e largët për të. “Shkuam në SHBA me paratë që i morën nga shitja e veturës. Ishim të vetmuar në krejt këtë situatë. Në New York na priti një dimër i vështirë, ndër më të vështirët. Nuk e gjetëm atë ‘Mirësevini në Amerikë’ Nuk ka qenë lehtë, por ia dolëm disi. Bënim punë të ndryshme. Kaluam tërë rrëfimin tipik të emigrantit. Gorani bartte frigoriferë në katin e gjashtë të ndërtesave të New Yorkut, unë kam provuar punë të ndryshme. Emigrim domethënë ‘nga dikushi drejt askushit’, ti e humb identitetin dhe duhet t’ia fillosh të krijosh një të ri. Emigrimi është disiplinë e rëndë, sepse njeriu pashmangshëm duhet të ndryshojë qëndrimin e tij dhe të pranojë pikëpamjen e tjetrit për ty. Gjërat ndryshojnë dukshëm dhe atë ndryshim duhet pranuar. Nuk është lehtë”, citohet Furlan nga gazeta kroate “Jutarnji list”.

Pas një kohe Furlan, megjithatë, arriti të depërtojë në botën e filmit. Luajti në seritë e Hollywoodit “Lost” dhe “Babylon 5”. Në profilin e saj në Twitter u dha lajmi për vdekjen e saj. Në një postim, që duket si letër lamtumirëse, ajo shkruan: “Po i shikoj yjet. Është natë e kthjellët dhe Rruga e Qumështit më duket afër. Së shpejti do të jem atje”. Ajo vdiq më 20 janar. Furlan mbeti kritike e ashpër e devijimeve shoqërore në Kroaci: “Gjatë qëndrimeve të fundit në Kroaci e kam kuptuar se tërë hapësira është aq e ndotur me senzacionalizëm, vulgaritet dhe diskurs primitiv nacionalist, i cili s’ka ndryshuar nga vitet 90-të kur u largova, andaj kam arritur në përfundimin se këtu s’kam çfarë të kërkojë më. Është mendim i pikëllueshëm. Por, fatkeqësisht, i vërtetë. E të vërtetën duhet pranuar. Nuk kemi zgjidhje tjetër”. Por Furlan frikësohej edhe për të ardhmen e Amerikës. Si “veterane e shpërbërjes” asaj shumë marrëzi politike në Amerikë ia kujtonin Jugosllavinë e dikurshme.

Nga Mira Furlan janë ndarë plot aktorë nga hapësira postjugosllave. Aktori nga Prishtina Alban Ukaj, i cili jeton në Sarajevë dhe aktualisht luan një rol në filmin “Quo vadis, Aida” (film mbi gjenocidin në Srebrenicë), shkroi në Facebook: “Lamtumirë, Mira! Jemi shumë që të kemi dashur, vetëm ta dish”. Rade Sherbexhija, njëri prej aktorëve më të njohur të hapësirës postjugosllave, gjeti këto fjalë: “Mira Furlan ishte sigurisht njëra prej aktoreve më të mrekullueshme në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Me talentin dhe bukurinë e saj ajo ishte Mira Stupica e gjeneratës sonë (Stupica ka qenë aktore e njohur serbe, v.j.). E kanë dashur miqtë, aktorët dhe aktoret, e kanë dashur regjisorët, e ka dashur publiku, e ka dashur kamera e filmit, të gjithë e kanë dashur. Por edhe ajo e donte botën, por edhe i frikësohej botës, ka qenë e lëndueshme”. Sherbexhija tha se Furlan ka përjetuar shumë sulme të padrejta nga nacionalistët, por u ka bërë ballë si Eva në dramën “Vuçjak” të Mirosllav Kërlezhës dhe kështu Furlan u fsheh nga brutaliteti i fatkeqësisë që e përfshiu popullin e saj.

“Gjithsesi unë mendoj, e di dhe ndjej se obligim imi, obligim i profesionit tonë është të ndërtojë ura. Të mos heq dorë nga bashkëpunimi dhe përbashkësia. Jo nacionale. Profesionale. Njerëzore”, shkruan Mira Furlan në kujtimet e saj. Ajo jetoi sipas kësaj motoje. Përkundër gjithë hidhësisë me të cilën u ballafaqua. (koha.net)