Ajo që i del jashtë llogaritjeve BDI-së është se shqiptarët i dolën më të fortë se sa djallëzia e saj. Kudo që ata jetojnë, nga Shkupi e deri në Nju Jork, janë gati të shpërthejnë! I besuan dikur, e shqiptari e ka besën Institucion, por imagjinoni se si ndihen tani që haptazi e kanë kuptuar se janë tradhtuar?! Si ndihen tani që BDI-ja nga popull autokton e shtetformues ka firmosur të quhen minoritet?!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Libri është, sipas meje e shumë të tjerëve, faktori që të jep dituri. Ka kaq shumë libra të mirë sa disa prej tyre të kthehen bë shokë të përhershëm, kështu është rasti i kryeveprës “Doktor Zhivago” shkruar nga nobeslisti Boris Pasternak. Nuk do të ndalem në një nga rastet më të trishta të ndonjë shkrimtari që ashtu si e përshkruan Kadareja, u dënua të merrte çmimin Nobel në një Rusi totalitare, por do të ndalem tek një fjali e cila gjendet shkarazi midis faqeve të këtij romani të fuqishëm. Në faqen e 14 të botimit shqip syri të lexon ” kopeja e fsheh padhuntinë”! E shkëputur si frazë, vetëm kjo, ndërton më vete një kontekst tek i cili gjendemi aktualisht në orët tona.
Jemi dëshmitarë të trishtuar të kësaj të vërtete të rëndë, sepse ne jemi prova e gjallë e citatit që Kopeja, Turma, Shumica e Fshehin, Mbulojnë, Bëjnë të Padukshme- Padhuntinë, Paaftësinë, Injorancën… Sa e vërtetë, sa e frikshme, sa e rrezikshme është të jetosh në një shoqëri ku të paaftët bëhen bashkë dhe duke brohoritur në kor njëri-tjetrin për krime, i kthejnë gati legjitime dhe absolutisht normale të gjitha problemet, paaftësitë e deri krimet që bëhen 24 orë pandalur!
Krim nuk është vetëm të vrasësh fëmij të pafajshëm në mes të ditës duke i shtypur në mënyrë shtazarake me makinë (gjë e cila ka ndodhur), por ka edhe krime të tjera, më të padukshme, më të kamufluara, si janë vjedhja e taksave të qytetarëve nga pushtetarët, abuzimi me pushtetin duke vdekur çdo mënyrë të ndershme për punësim përveçse asaj partiake, krim është të krijosh një sistem arsimor që bën vogëlushët t’i ngjiten malit për të mësuar normalisht…krim është edhe të jesh nën presionin e largimit nga puna sepse “shefat” nuk janë të kënaqur nga numri i votave që ke mbledhur! Krim është që edhe kushëriri i pushtetarit që sillet si pronar i jetës së çdokujt! Edhe sa shumë ka! Katastrofë! Është pikërisht kjo “turma” e atyre që duartrokasin këto krime që na ka dënuar çdo ditë të katandisemi që ëndrrat tona t’i shohim vetëm në shtete të huaja!
Njësoj si gjarpri, pjesëtarët e kësaj turme përdridhen çdo ditë rreth nesh duke na kërcënuar me gjuhën e tyre plot helm! Si në një cirk vdekjeprurës na hutojnë që prapë të jemi viktima naive të tyre…duke harruar që na kanë shkaktuar aq shumë dëm e dhimbje sa tashmë askush nuk i merr për ngjala miqësore, por i shohim ashtu si janë: gjarpërinj që rrojnë me gjakun tonë!
Një nga orkestradat e radhës është trajtimi i gjuhës shqipe…Komisioni i Venedikut tha me fjalë të pakta se: gjuhët minoritare, e veçanërisht ajo shqipe, pretendon shumë! Ajo nuk mund të trajtohet si një gjuhë e një kombi shtetformues sepse…si i është komunikuar Komisionit të Venedikut, shqipja është Gjuhë Minoritare! Pikë faji nuk ka Komisioni i Venedikut, me të drejtë i duket absurd që një minoritet (shqiptarët), të ketë më shumë të drejta se sa për shembull bullgarët!
Pas këtij konstatimi të drejtë të Komisionit të qytetit të gondolave, del BDI-ja dhe me shpatë të mprehur mbron gjuhën shqipe! Duke shpërqendruar popullin, kjo parti e heq vëmendjen nga e vërteta e hidhur që i bën automatikisht fajtor: cili pushtet i ka paraqitur shqiptarët si Minoritet?! Pikërisht BDI-ja! Ku ishte kjo parti ku ne, shqiptarët shkruheshim si minoritet?! Ishte e zënë me çfarë?!
Si duket para zgjedhjeve BDI-ja, e stërvitur tashmë, kërkon të rregullojë punët me shqiptarët që mezi presin ta largojnë nga pushteti, duke bërë lëvizje kaq naive, si kjo. Sa herë që vendoset ndonjë ligj që diskriminon apo cenon të drejtat e shqiptarëve, BDI-ja nuk është aty, ajo e ka mendjen tek NATO, duke firmosur dënimin e shqiptarëve që të shkretët ju mbetet shpëtim vetëm Ikja! Pse nuk u çua BDI-ja dhe të kërkonte me ngulm regjistrim të popullsisë?! A nuk kishte besim se do të vinin i madh dhe i vogël nga janë dhe nga s’janë për të vërtetuar kombësinë e tyre?! Tani si gjithmonë kjo parti pushtetare duket se qan të vdekurin që e ka vrarë vet!
Madje po mos ishte kohë parazgjedhore, as nuk do kishte kohë të merrej me këtë detaj të parëndësishëm si jemi ne: shqiptarët! Nuk e di se çfarë alibie do të gjente kjo parti për të mbuluar gabimet e saja nëse do ishim në NATO dhe BE! Ndoshta do t’i lindte ambicia që Maqedonie të bëhej shteti i parë ballkanik që shkon në Hënë?! Pse jo?! Do ishte aspak e çuditshme, njerëzit si tani do ishin nën presionin e varfërisë, fëmijët si tani do ç’mësonin në kushte të ndaluara me ligj nga BE-ja, nënat do të qanin si tani duke përcjellur bijtë në stacione aeroportesh, pooor ama BDI-ja do të shikonte ditë e natë nga Hëna duke ëndërruar se si do të ngjitej i pari njeri (për ata nuk do ishte fare e rëndësishme kombësia se për ata nuk janë njerëzit e rëndësishëm e jo më kombësia e tyre)! Njerëzit si tani do përpëliteshin pa gjetur ajër midis krimit politik dhe varfërisë, kurse turma e BDI-së do mbante fjalimi të tipit: me shkuarjen në Hënë ne realizojmë ëndrrën e çdo maqedonasi dhe të çdo minoritari, po, minoritari sepse kështu na ka konsideron BDI-ja, ne shqiptarëve! Edhe pse e di më mirë se kushdo se sa shumë jemi, edhe pse votat i ka kërkuar me vite prej nesh, ajo nuk sheh kaq sa jemi…e dini pse?! Sepse ky ka qenë një parakusht që BDI-ja të rrinte dhe të ndante pushtet! Kam frikë madje se kjo strategji asgjësuese e shqiptarëve nuk është as vazhdim i lajthitur I ndonjë force partiake të çartur maqedonase, por është e pastër strategji eliminimi kombëtar i vet BDI-së. Të gjitha ligjet dhe normativat mbajnë në vete një plan që synon të na kthejë si një racë që ka jetuar dikur këtyre anëve…kaq shumë ka dëbuar BDI-ja me taktikat e saj sa ka lokacione shqiptarë ku lirisht mund të bëhen vizita historike me një cicëron që i shpjegon turistëve se dikur legjenda thotë se këtu ka pasur shqiptar!
Ajo që i del jashtë llogaritjeve BDI-së është se shqiptarët i dolën më të fortë se sa djallëzia e saj. Kudo që ata jetojnë, nga Shkupi e deri në Nju Jork, janë gati të shpërthejnë! I besuan dikur, e shqiptari e ka besën Institucion, por imagjinoni se si ndihen tani që haptazi e kanë kuptuar se janë tradhtuar?! Si ndihen tani që BDI-ja nga popull autokton e shtetformues ka firmosur të quhen minoritet?!
Konkluzioni?! BDI-ja është në hall të madh! I ka ditët e numëruara dhe sa mirë! BDI-ja ka firmosur që të zhdukemi nga trojet tona, në 12 prill do vijnë minoritarët shqiptarë e do t’i tregojnë BDI-së që janë Komb Shtetformues dhe do të firmosin zhdukjen e shumëpritur e të domosdoshme të saj!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)