Shkup, 22 tetor – Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska sot dhe nesër përmes video konferencës do të marrë pjesë në takimin e Këshillit Veriatlantik në nivelin e ministrave të Mbrojtjes.
“Ministrat e Mbrojtjes të 30 aleatëve të NATO-s do të diskutojnë në sesionin e sotëm të Këshillit Veriatlantik masat për të mbështetur përpjekjet civile për të parandaluar përhapjen e Kovid-19 dhe solidaritetin e aleancës. Me sigurimin e paketës së NATO-s me vlerë 1,4 milion euro për 60 aparate për frymëmarrje dhe pajisje shtesë mjekësore, solidariteti i aleancës me vendin tonë u konfirmua edhe një herë”, kumtoi Ministria e Mbrojtjes.
Ministrat e Mbrojtjes thuhet se do të diskutojnë përparimin në përpjekjet për të rritur buxhetet e mbrojtjes dhe për të ndarë barrën. Shifrat tregojnë se për shumicën e aleatëve, buxhetet janë rritur për gjashtë vjet rresht. Buxheti i mbrojtjes për Maqedoninë e Veriut ka të njëjtën trend. Kjo u konfirmua nga kryeministri Zoran Zaev gjatë vizitës në selinë e NATO-s këtë muaj në Bruksel, ku ai tha se ne mbetemi të vendosur për të rritur buxhetin e mbrojtjes dhe për të arritur 2 për qind të PBV-së deri në vitin 2024, njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes.
Në takim, ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, siç theksohet, do të vendosin për krijimin e qendrës hapësinore në Rajmshtajn, Gjermani, për komunikim më të mirë satelitor dhe ushtarak.
Nesër, sesioni i dytë i punës do t’i kushtohet misioneve të NATO-s dhe operacioneve paqeruajtëse në Afganistan, Irak dhe në Kosovë. Maqedonia e Veriut vazhdon kontributin e saj në komandën kryesore të misionit të “Mbështetje Vendimtare” dhe në komandën e kryeqytetit, Kabul, në Afganistan, dhe së fundmi 44 anëtarët e parë të Armatës u dërguan brenda forcës së KFOR-it në Kosovë, gjë që e bën vendin tonë shtyllë të paqes dhe sigurisë në rajon.
Ministrat e Mbrojtjes do të diskutojnë gjithashtu zbatimin e planit të NATO-s për të zbatuar Rezolutën 1325 të KB – Gratë, Paqja dhe Siguria, 20 vjetori i të cilave po festohet këtë muaj. Vendi ynë ka miratuar Planin e dytë Kombëtar të Veprimit për zbatimin e kësaj rezolute dhe është e angazhuar për përfshirjen e grave në mbrojtje, përmes procesit gjithëpërfshirës dhe që përfshin jo vetëm numra, por edhe përdorim aktiv të kapaciteteve të grave në proceset e mbrojtjes, thuhet në kumtesë.