Evis HALILI
Shkup, 20 dhjetor – Mes kineastëve dhe Ministrisë së Kulturës është arritur pjesërisht një marrëveshje sa i takon financimit të veprimtarisë filmike, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse nuk parashikohet rritja e buxhetit thuajse të përgjysmuar të Agjencisë së Filmit, për projektet të cilat i përmbushin të gjitha kriteret e cilësisë, do të sigurohen fonde për financimin e tyre. Po ashtu, si një pikë tjetër e marrëveshjes është edhe iniciativa për hartimin e një ligji për veprimtarinë audiovizuale, në përputhje me legjislacionin evropian, që do të definonte edhe burimet dhe modelet e financimit të kësaj veprimtarie. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Kulturës, pas takimit të ministrit së Kulturës, Robert Allagjozovski, drejtorit të Agjencisë së Filmit dhe përfaqësuesve të punonjësve të filmit, thuhet se palët janë dakorduar për të ndërmarrë disa hapa të përbashkët që do të sjellin përmirësimin e situatës. “Ministria e Kulturës është e gatshme, që duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat për konvertimin e mjeteve dhe rebalancin e buxhetit të rimbushë buxhetin për filmin në vitin e ardhshëm, në një shkallë të mjaftueshme për financimin e projekteve që i përmbushin kriteret e cilësisë, konform vlerësimeve të komisioneve relevante të Agjencisë dhe procedurave ligjore…. Ministria e Kulturës në asnjë mënyrë nuk do ta përkeqësojë veprimtarinë filmike në vitin 2018. Propozim buxheti i vitit 2018, për dallim nga ato të viteve të mëparshme që janë zmadhuar duke marrë përsipër obligime që i tejkalonin mundësitë reale, është baza nga ku fillon spastrimi i atyre detyrimeve të marra, për të cilat do të vërtetohet se i përmbushin të gjitha normat ligjore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Pritet që gjatë muajve në vijim, pasi të përfundojnë të gjitha revizionet, vlerësimi i projekteve të realizuara gjatë vitit të kaluar, por edhe analiza e përgjithshme për situatën aktuale brenda Agjencisë së Filmit, të organizohen debate lidhur me paragrafin në buxhet për veprimtarinë filmike, në mënyrë që të jetë zhvilluese dhe e mjaftueshme për të plotësuar nevojat optimale të kinematografisë maqedonase, sipas standardeve evropiane. Këto masa po merren pas protestës së disa ditëve më parë të një grupi kineastësh, producentësh e punonjësish të filmit të cilët protestuan kundër vendimit për reduktimin e buxhetit të vitit të ardhshëm për veprimtarinë filmike. Fondi prej 154.5 milionë denarë që parashikohet për financimin e Agjencisë së Filmit përbën vetëm 4 për qind të buxhetit të përgjithshëm për financimin e veprimtarive në kulturë dhe një ulje drastike krahasuar me buxhetin e një viti më parë, që ishte rreth 276 milionë denarë. Nga reduktimi e ka pësuar më shumë veprimtaria filmike, përkatësisht Agjencia, ndërsa në përgjithësi financimi i veprimtarisë në kulturë është rritur me 200 milionë denarë. Ky vendim i Ministrisë së Kulturës është arsyetuar me abuzimet që janë bërë me projektet filmike, fondet ekstravagante për realizimin e tyre, por edhe për vënien e tyre në funksion të propagandës politike e partiake. Agjencia e Filmit u themelua gati katër vjet më parë (janar 2014), si pasuese e Fondit të Filmit, institucion që ishte nën kompetenca të Ministrisë së Kulturës. Për momentin, funksionimi i Agjencisë është i bllokuar, Këshilli drejtues prej disa muajsh është pa anëtarë, të cilët emërohen nga Qeveria. (koha.mk)