Këshilli i Kulturës, një organ me profesionistë nga sfera e kulturës, ka funksionuar me dhënien e këshillave për ish ministrat e kulturës. Njëkohësisht ka qenë pjesë e ndryshimeve e dështimeve sa i takon avancimit të kulturës, sidomos sa i takon pjesës shqiptare. Ish-anëtarë të këtij Këshilli pohojnë se funksionimi i organeve të tilla – pjesëmarrja e ekspertëve nga sfera të ndryshme që reflektojnë një realitet që nuk i takon interesave partiake dhe artistë të realizuar që nuk i duhen paterica në karrierë, duhet të jenë më shumë se prezent në monitorimin e strategjive të kulturës
Evis HALILI
Shkup, 20 tetor – Ministria e Kulturës ende nuk e ka ngritur grupin e këshilltarëve të Kulturës, i cili mbledhjen e fundit e ka mbajtur rreth dy vjet më parë. Këshilli i Kulturës, një organ me profesionistë nga sfera e kulturës ka funksionuar me dhënien e këshillave për ish-ministrat e Kulturës. Njëkohësisht ka qenë pjesë e ndryshimeve, stangimeve e dështimeve sa i takon avancimit të kulturës, sidomos sa i takon pjesës shqiptare. Por në ndryshimet e publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, sa i takon përbërjes dhe punonjësve të saj, nuk ka asnjë informacion lidhur me këshillin, apo edhe grupet e punës që krijohen nga ministri që merr detyrën. Ish anëtarë shqiptarë të këtij këshilli pohojnë se funksionimi i organeve të tilla, pjesëmarrja e “të jashtmeve” është e domosdoshme për të ndihmuar në realizmin e një kulture për të gjithë. Piktori Reshat Ameti thotë se ekspertët e sferave të ndryshme që reflektojnë një realitet që nuk i takon interesave partiake dhe artistë të realizuar që nuk i duhen paterica në karrierë duhet të jenë më shumë se prezent në monitorimin e strategjive të kulturës.
“Pavarësisht asaj që u realizua apo jo ne dhamë propozimet tona, si për shembull institucionalizimi i kulturës shqiptare, apo kultivim i saj nëpër institucione. Disa, si krijim i ansamblit, apo i teatrit në Gostivar u bënë realitet, apo të tjera që nuk e patën atë fat, si themelimi i një galerie apo muzeu arti në Gostivar” , thotë ish anëtari i këshillit Ameti. Sa i takon vërejtjeve të tij në Strategjinë nacionale për kulturën ishin mangësitë për mënyrën e afirmimit të kulturës shqiptare, institucionalizimit, por edhe kultivimit në suaza të konceptit qytetar. Mbi të gjitha ka pasur debat. Kështu shprehet edhe Selam Sulejmani, një tjetër ish anëtar. “Duke parë situatën në përgjithësi, projektet që realizohen, një pjesë që meritojnë mbështetje dhe të tjera që as që nuk janë të denja që të quhen projekte kulture duhet që MK në kuadër të MK të funksionojnë më shume trupa apo grupe pune, jo vetëm këshillimi por edhe mbikëqyrëse. Në atë këshill janë prekur shumë tema, disa që mund të quheshin tabu për pjesën shqiptare dhe pavarësisht asaj që është realizuar deri tani, e rëndësishme është që është diskutuar për tema nga më të ndryshmet dhe janë propozuar ide për zhvillimin e kulturës sonë që nuk duhet të jetë sipas përqindjes, por sipas përfaqësimit, pra 50 me 50”, thotë Selami.
Anëtarët e Këshillit emërohen nga ministri dhe përzgjidhen nga radhët e artistëve dhe profesionistëve të spikatur nga sfera e kulturës dhe e jetës publike dhe shoqërore, sipas principit të kompetencave dhe të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve që i takojnë të gjitha komuniteteve, gjatë kohës që zgjat mandati i ministrit të kulturës. Këshilli i jep sugjerime ministrit për çështjen që janë në kompetenca të tij, si edhe për dhënien e titullit – Ambasador i kulturës, përcaktohet në Ligjin e kulturës. Mbledhja e fundit e Këshillit është zhvilluar pas largimit të ish ministrit Robert Allagjazovski, gjatë mandatit të të cilit u krijuan edhe një sërë grupe pune që ndihmuan në hartimi ne strategjisë për zhvillimin e kulturës gjatë periudhës 2018-2022. (koha.mk)