Në Ministrinë e Drejtësisë ka arritur njoftim nga Ministria e Punëve të Brendshme se ish-kryeministri Nikolla Gruevski gjendet në Hungari.
Nga Ministria informojnë për MIA se për momentin punohet në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin e tij në Maqedoni.
Gruevski është dënuar me dy vjet burg për lëndën “Tanku” të Prokurorisë Speciale Publike. Ai të premten është dashur të paraqitet për vuajtjen e dënimit me burg në Shutkë, por u arratis në Hungari. Informacionin për arratisjen e tij në Hungari ai dje e publikoi në Fjesbukun e tij, ndërsa më vonë u konfirmua edhe nga MPB-ja. Për momentin policia ka lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për të.