Ministria e Drejtësisë pasdite njoftoi se e ka dërguar kërkesën për ekstradimin e ish kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski deri te Ministria e Drejtësisë së Hungarisë.
“Kërkesa për ekstradim i referohet vendimit të plotfuqishëm të shqiptuar në afat prej dy vjetësh dhe për katër procedura penale që gjenden para gjykatave të Maqedonisë, ndërsa theksohet se ndaj tij zhvillohen edhe katër hetime si dhe një procedurë parahetimore ku organet kompetente mund të fillojnë edhe procedura gjyqësore në varësi nga hetimi”, thuhet në komunikatë.
Në kërkesë sqarohet se asnjë nga veprat për të cilat Nikolla Gruevski akuzohet apo zhvillohen kundër tij nuk është vepër politike apo ushtarake, ose këto vepra nuk janë paraparë në Konventën Evropiane për ekstradim si vepra për të cilët mund të refuzohet ekstradimi.
Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se të drejtat e Nikolla Gruevskit në çdo moment janë siguruar, përfshirë edhe të drejtën për mbrojtje para organeve gjyqësore konform Konventës Evropiane për të drejtat dhe liritë e njeriut. Nikolla Gruevski është mbrojtur në liri dhe në asnjë mënyrë nuk është shqiptuar masë paraburgimi.
Theksojnë se edhe procedura gjyqësore ku është sjell vendimi dhe procedurat tjera që zhvillohen kundër Gruevskit janë të monitoruar nga ana e OSBE-së, anëtare e së cilës është edhe Hungaria.
“Republika e Maqedonisë kërkon që personi Gruevski të ekstradohet, ndërsa duke pasur parasysh seriozitetin e veprës penale, kërkojmë i njëjti të privohet nga liria dhe të mbahet në paraburgim, duke rikujtuar se ndaj tij ka të ngritur edhe fletëarrest ndërkombëtar”, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.