Në margjinat e konferencës Edicioni i 7-të i “Annual Investment Meeting” e cila mbahet prej 2 deri 4 Prill në Dubai, ministri për Investime të Huaja Arlind Zeqiri bashku, së bashku me kolegun e tij, Xheri Naumov, dje ka takuar ministrin e Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Ekselencën e tij Sultan bin Saed Al Mansori.
“Në takim nga ana e nikoqirit pranuam lëvdata për sa i përket strategjisë kombëtare të vendit tonë lidhur me senzibilizimin dhe organizimin e fushatave informative për kapacitetet investuese që posedon Maqedonia. Gjithashtu u dakorduam që të formohen grupe pune në nivel të ministrive mes dy vendeve, të cilat do të identifikojnë sektorët dhe fushat e interesit në të cilat do të ishte i mundshëm bashkëpunimi i ndërsjellë permes investimeve, si që janë: turizmi, përpunimi i produkteve ushqimore, ndërtimtaria, mbrojtja shëndetësore, dhe dhënia e shërbimeve (outsourcing services), tha Zeqiri.
Ai shtoi se nga ana e ministrit Al Mansouri gjithashtu u potencua se çështja e stabilitetit politik të vendit tonë, është parakusht kryesor për vendosjen e bashkëpunimit dhe revitalizimin e praktikave të shëndosha investuese.
Edhe pse Maqedonia posedon kornizë stimuluese ligjore për sa i përket procedurave dhe lehtësimeve për investitorët e huaj, stabiliteti politik është siguria e nevojshme të cilën nuk do mend se e kërkon çdo investitor potencial. Një nga pikat kyçe të diskutimit dhe qëllim i vizitës time në AIM Dubai 2017, ishte padyshim prezantimi i Kodrës e Diellit, si një kapacitet mjaft joshës për zhvillimin e turizmit dhe hapjen e vendeve te reja të punës në rajonin e Tetovës, projekt për të cilin nikoqirët treguan interes dhe gatishmëri për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në drejtim të identifikimit të modaliteteve për të investuar dhe për të zhvilluar këtë qendër turistike në të ardhmen”, tha ministri Zeqiri.
Edicioni i 7-të i “Annual Investment Meeting” që mbahet në Dubai paraqet një ngjarje të rëndësishme ekonomike të fokusuar në investimet e huaja direkte (FDI) në tregjet botërore në rritje. AIM është një platformë udhëheqëse globale që synon të lehtësojë vendosjen e rrjeteve strategjike të bashkëpunimit dhe nxitjen e investimeve, duke siguruar një përvojë të pasur për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave inovative në fushën e investimeve të huaja direkte.
Kjo ngjarje mbledh në një vend bashkësinë ndërkombëtare të investimeve, udhëheqësit e korporatave, politikëbërësit, ekspertët, dhe praktikantë nga e gjithë bota, për të diskutuar strategjitë në tërheqjen e IHD, si dhe synon të lidh bizneset dhe vendet e ndryshme që janë të gatshme të angazhohen në partneritet të qëndrueshëm me investitorët.