Ankara, 15 tetor – Gjithsej 259 prefektë komunash në Turqi janë suspenduar nga detyra, për shkak të aktiviteteve të drejtuara kundër sigurisë kombëtare, kumtoi sot Ministria turke e Punëve të Brendshme.
Bëhet fjalë për prefektë, të cilët dyshohen se ishin anëtarë ose të lidhur me strukturat, formacionet ose grupet, aktivitetet e të cilëve janë kahëzuar kundër sigurisë së shtetit.
Të gjithë prefektët janë shkarkuar nga detyra pas urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme, Sulejman Sojlu dhe suspendimi i tyre do të zgjasë deri në përfundimin e hetimeve administrative ose gjyqësore kundër tyre, theksohet në kumtesë.
Pas grusht shtetit të pasuksesshëm në Turqi në korrik të vitit 2016, nga puna janë shkarkuar disa mijëra nëpunës shtetëror, për shkak të dyshimit për lidhshmëri me predikuesin islamik Fetullah Gjylen, të cilin Ankaraja e akuzon se qëndron pas përpjekjes për puç.
Përveç lidhjeve me Gjylenin një numër i madh i prefektëve të komunave në pjesën juglindore të Turqisë, ku shumica e popullatës janë kurdë, dyshohen edhe për lidhshmëri me Partinë punëtore kurde (PPK) e cila gjendet në listën e organizatave terroriste të Turqisë, SHBA-së dhe BE-së.
Zgjedhjet e ardhshme lokale në Turqi, në të cilat duhet të zgjidhen 1.381 prefektë, 1.251 kryetarë të provincave dhe rreth 20.500 këshilltarë komunal, janë parashikuar në mars të vitit 2019.