Ministri i sapozgjedhur i Shëndetësisë Arben Taravari e realizoi vizitën e parë të tij si ministër në Klinikën e Tetovës, me ç’rast tha se do të fillojë me reforma rrënjesore që qytetarët të marrim shërbime ma të mira të mundshme. “Qendra Klinike e Tetovës ka rëndësi të madhe, kjo do të jetë një prej katër Qendrave Klinike në Maqedoni, dhe planifikoj të bëjë investime më të mëdha si ministër, normalisht brenda asaj që kemi mundësi. Sot do të bisedojmë me drejtorin e Spitalit të Tetovës, dhe do të shohim se cilat janë kërkesat e tyre, dhe çfarë unë mund të bëjë që sa më shpejt t’i realizojë, me të vetmin qëllim që qytetarët ta ndjejnë ndryshimin që ka ndodhur në Ministrinë e Shëndetësisë”, theksoi Taravari.
Ai ka zbuluar edhe këshilltarin e tij të parë, dhe ai është kardiokirurgu më i mirë në nivel të Evropës, Omer Xhemaili nga Tetova. ”Njëri prej këshilltarëve të mi do të jetë edhe doktori Omer Xhemaili, i cili është njëri prej kardiokirurgëve ma të mirë në nivel të Evropës, por do të kemi edhe disa mjek tjerë që do të më këshillojnë, si ta menaxhojmë dhe se si të funksionojë më mirë sistemi shëndetësor në Maqedoni”, theksoi Taravari.