Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, së bashku me një delegacion të kabinetit të tij, prej sot është për vizitë pesëditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai në Uashington do të takohet me përfaqësues të Kongresit amerikan, Departamentit shtetëror si dhe të Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në SHBA, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Gjatë qëndrimit në Uashington, ministri do të takohet me menaxhmentin e spitaleve amerikane si dhe me organizata internacionale nga sfera e shëndetësisë, me qëllim të këmbimit dhe formimit të partneriteteve strategjike për reforma në shëndetësi. Në kuadër të vizitës në SHBA, Taravari do të qëndrojë edhe në Nju-Jork ku do të ketë takime me përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe me udhëheqësinë e spitalit të Nju-Jorkut me renome. Kjo vizitë është me rëndësi kyçe për shëndetësinë e Maqedonisë dhe me këto takime do të mundësohet këmbimi i përvojave të cilat më pas do të zbatohen si themel për reforma në sistemin shëndetësor, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.