Tetovë, 12 nëntor – Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot i vizitoi vendkalimet kufitare Jazhincë dhe Sektorin për punë të brendshme Tetovë, ndërsa realizoi edhe takim pune me kryetarin e Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti, si dhe me qytetarë nga kjo komunë e Pollogut, transmeton gazeta KOHA.
Në takim, me kolegët në Stacionin e policisë për çështje kufitare Jazhincë dhe në SPB Tetovë, ministri Spasovski është njoftuar me situatat aktuale nga fusha të ndryshme në kompetencë të këtyre njësiteve organizative pranë MPB-së, për vëllimin dhe cilësinë e punës, por edhe për arritjet dhe rezultatet e pritura.
Spasovski, siç informojnë nga MPB Tetovë, në takimet është njoftuar se VK Jazhincë brenda një muaji e kalojnë mes 5.000 deri 7.000 udhëtarë vendos dhe të huaj, ndërsa këtë vit kjo shifër, përfundimisht me tetorin arrin gjithsej 577,856 persona, të cilët e kanë kaluar këtë vendkalim, që flet për qarkullim relativisht të rritur të njerëzve dhe mallrave jashtë dhe në vendin tonë.
Në bisedë me personat kompetent në SPB Tetovë, ministrit Spasovski i janë prezantuar edhe gjendjet në fushat e ndryshme të kriminalitetit në rajonin e këtij Sektori për punë të brendshme.
Spasovski, informojnë nga ministria, i ka theksuar orvatjet e konstituuara që udhëheqësia aktuale i bën, sidomos në fushën e përmirësimit të kushteve materialo-teknike dhe sociale për punë të efektivëve të policisë, duke potencuar se primare duhet të jetë puna profesionale konform ligjeve, që në masë të madhe do të ndikojë në ngritjen e përgjithshme të standardeve dhe cilësisë së punës së policisë.
Në takim, me kryetarin e Komunës së Bërvenicës, ministri Spasovski ka biseduar rreth intensifikimit të bashkëpunimit mes pushtetit lokal dhe policisë, respektivisht për cilësinë e deritanishme të këtij bashkëpunimi dhe masat që duhet të ndërmerren për avancimin e tij, me qëllim të sigurisë më të madh dhe mbrojtjes së të gjithë banorëve të komunës.(koha.mk)