Vazhduam me bisedimet me Sindikatën për arsim, shkencës dhe kulturë (SASHK) dhe në fillim të javës së ardhshme, të hënën ose të martën, pres të kemi marrëveshje përfundimtare, deklaroi sot ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, pas raundit të ri të negociatave me delegacionin e SASHK-ut.
“Në këtë fazë të procesit të negociatave, gjatë 20 ditëve, janë hapur shumë diskutime të cilat kanë të bëjnë edhe me marrëveshjet kolektive, të cilat nuk janë nënshkruar më shumë se dhjetë vjet dhe mendoj se do të ketë marrëveshje të re kolektive në periudhën në vijim dhe kur do të kemi marrëveshje do të kemi për çka të vazhdojmë me bisedimet”, theksoi Shaqiri.
Në pyetjet të gazetarëve nëse do të gjendet zgjidhje për rritjen prej 18 për qind të pagave të punonjësve arsimorë siç kërkon Sindikata, ministri tha se qëndrimet po afrohen dhe po shqyrtohen të gjitha mundësitë për gjetjen e zgjidhjes.
“Prandaj që nga fillimi kërkova mirëkuptim nga SASHK-u dhe nga mësimdhënësit. Ne kemi vullnet të mirë për gjetjen e zgjidhjes sepse jemi në dijeni në cilën fazë ishim në procesin e sjelljes së buxhetit, në cilën fazë jemi në përgatitjen e buxhetit, në cilën fazë jemi në periudhën në vijim pas gjetjes së mjeteve të realizimit të këtij buxheti. Mendoj se jemi shumë afër gjetjes së zgjidhjes për kushte më të mira. Nuk dua të përmend përqindje sepse ky proces do të jetë më i mirë dhe mësimdhënësit do të kenë kushte më të mira edhe pas nënshkrimit të marrëveshjeve kolektive të degëve. Dua që kjo të jetë greva e fundit dhe ndërprerja e fundit e mësimit, që do të thotë se ndoshta në periudhën në vijim do të kemi nevojë për bisedime të tjera, por ndërprerje të mësimit të mos ketë”, theksoi Shaqiri.
Në seancën e Qeverisë, potencoi ministri, është sjell vendim i cili ka të bëjë për shkollat e mesme, vendim për ata të cilët e përfundojnë vitin e katërt.
“Tani së bashku me Unionin e shkollave të mesme është formuar grup pas shumë vitesh që të shqyrtohet edhe Ligji për arsimin e mesëm, ku deri më tani janë përfshirë 24 anëtarë nga të gjitha institucionet, ndërsa do t’i përfshijmë UNICEF-in, UNDP-në, Komisionin Evropian, ambasadat… Ky vendim për përfundimin e mësimit e sollëm me konsultim me Byronë për zhvillimin e arsimit. Njëkohësisht, në këtë periudhë është kërkuar mendim nga Byroja që të gjendet mënyrë për komunikim me të gjitha shkollat fillore për atë deri ku është faza e realizimit të programeve të shkollave fillore dhe të shqyrtohet mundësia nëse mund të arrihen që mësimi të përfundojë deri në afatin e paraparë”, shtoi Shaqiri.