Shkup, 26 tetor – Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji merr pjesë në forumin ministror për Drejtësi dhe Punë të Brendshme BE-Ballkani Perëndimor, i cili sot dhe nesër mbahet në Sofje, Republika e Bullgarisë në kuadër të Kryesimit estonez me Bashkimin Evropian. Siç kumtoi Ministria e Drejtësisë, në kuadër të sesionit kushtuar “Drejtësisë” u diskutuan tema lidhur me përgjegjësinë e gjyqësisë dhe bashkëpunimin gjyqësor në materien civile dhe penale. “Ngjarjet e këtilla, ku ne vendet e Ballkanit Perëndimor diskutojmë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, për tema të cilat na bashkojnë dhe për të cilat bashkërisht i krijojmë politikat, janë veçanërisht të rëndësishme dhe paraqesin nxitje për zbatimin e mëtutjeshëm dhe të përforcuar të zbatimit të kritereve për qasje në familjen evropiane”, theksoi ministri Saliji në fjalimin e tij. Ai potencoi se Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë në mënyrë aktive dhe intensive punon në plotësimin e reformave të parapara në sferën e gjyqësisë të cilat duhet t’i mënjanojnë të gjitha dobësitë dhe mangësitë e përcaktuara. “Bashkëpunimi ndërkombëtar në sferën e përgjegjësisë gjyqësore dhe bashkëpunimin gjyqësor në materien penale dhe civile, është kyç gjatë vendosjes së marrëdhënieve të mira midis shteteve të Ballkanit duke pasur parasysh se ndajmë pothuajse probleme të ngjashme, por edhe vullnet për tejkalimin e tyre”, tha në fund të fjalimit ministri Saliji, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë.