Qefser ABDYLI
Shkup, 15 maj – Banorët e zonave të vërshuara, të cilët janë të strehuar në konviktin “Tome Stevanovski-Seniç” kanë mbetur në mëshirën e fatit, pasi për ata nuk po ndërmerr veprim asnjë institucion shtetërorë. Mbi 30 banorë qëndrojnë në këtë konvikt, sepse ende nuk i kanë krijuar kushtet për tu kthyer në shtëpitë e tyre, të cilat u dëmtuan nga vërshimet e vitit të kaluar në rajonin e Shkupit. Që atëherë ata u vendosën në konvikt, por nga ana tjetër Ministria e Punës dhe Politikës Sociale tani nuk ua vazhdon qëndrimin, pasi vlerëson se janë krijuar kushtet që ata të kthehen në shtëpitë e tyre. Me kalimin e kohës, një pjesë e konsiderueshme e banorëve meremetuan shtëpitë, por ato që kanë mbetur, theksojnë se nuk mund të kthehen në shtëpi pasi ende nuk kanë kulm mbi kokë. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi, kohë më parë premtoi se ata do të barten në konviktin “25 Maji”, mirëpo drejtori i konviktit “Tome Stevanovski-Seniç”, Lulzim Xhemaili, thekson se kjo ka mbetur vetëm si premtim. “Ndihmat filluan përsëri nga Kryqi i Kuq, edhe pse ministri premtoi që banorët do t’i vendosë në konviktin ‘25 Maji’, ai asgjë nuk realizoi. Ai çdoherë premton, mirëpo asnjëherë nuk mundohet që sado pak t’i krijojë kushtet për t’i zhvendosur tek ai konvikt, dhe me këtë ai sikur i ikë përgjegjësisë që ka. Nga ajo që ka dështuar Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, Kryqi i Kuq ka filluar prapë t’i trajton dhe ndihmon këta njerëz që kanë mbetur të harruar nga të gjithë”, thotë drejtori. Ai thekson se ministri Ibrahimi ka 50 ditë që premton dhe nuk realizon asgjë, duke shprehur të gjithë mllefin edhe tek partitë politike shqiptare, por edhe ndaj qytetarëve, pasi nuk ndërmarrin asnjë iniciativë për t’ju dalë në ndihmë këtyre banorëve. Ndryshe, banorët e vendosur në konviktin “Tome Stevanovski-Seniç” janë nga zonat më të dëmtuara nga vërshimet, si Haraçina, Hasanbegu, Stajkovci dhe fshatrat tjerë të Shkupit. (koha.mk)