Shkup, 18 shkurt – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën e Serbisë, me ç’rast do të ketë takime me nikoqirin e tij, Nikolla Selakoviç, me presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryetarin e Kuvendit Popullor, Ivica Daçiç dhe kryeministren, Ana Bërnabiç.
Siç bëri të ditur MPJ, në takime do të bisedohet për marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë për intensifikimin dhe thellimin e tyre me forma dhe përmbajtje të reja me interes të përbashkët, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, në të cilën Republika e Serbisë është partneri ynë i rëndësishëm.
“Në të njëjtën kohë, bashkëbiseduesit do të shkëmbejnë mendime mbi situatën aktuale në rajonin tonë, bashkëpunimin rajonal, si dhe sfidat dhe perspektivat e vendeve në lidhje me procesin e integrimit në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, si dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë. Në kushtet e një pandemie komplekse dhe fillimit të procesit të vaksinimit, do të shqyrtohen përpjekjet dhe aktivitetet e të dy qeverive në trajtimin e pasojave dhe kufizimeve në luftën kundër virusit Kovid-19, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i ndërsjellë në këtë drejtim” shtohet në kumtesë.