Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani do të marrë pjesë në takimin joformal të ministrave të jashtëm të NATO-s që do të mbahet nga 14 deri më 15 maj në Berlin.
Siç ka bërë të ditur MPJ, bisedimet do të fokusohen në invazionin ushtarak rus të Ukrainës, implikimet e mundshme nga lufta mbi aleatët, rreziqet e sigurisë, si dhe në pozicionimin e ardhshëm mbrojtës të NATO-s. Gjithashtu në takim do të flitet edhe për Samitin e ardhshëm të liderëve në Madrid.
Në takim janë të ftuar të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të Finlandës dhe Suedisë, të cilët do të informojnë mbi zhvillimet e fundit, përfitimet dhe implikimet lidhur me anëtarësimin e mundshëm të ardhshëm të këtyre dy vendeve në Aleancë.
Në margjinat e takimit, ministri Osmani pritet të ketë takime bilaterale me ministrin e Punëve të Jashtëm të Ukrainës, Dmitro Kuleba dhe MPJ-në e Malit të Zi, Ranko Krivokapiq si dhe me homologë të tjerë.