Shkup, 16 shtator – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini sot në Prishtinë, Kosovë pati një takim pune me Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës Fatmir Matoshi, informojnë nga MMJPH-ja.
Pas takimit Nuredini ka shfaqur shpresë se nga takimi do të dalin me një sërë nismash për bashkëpunim të frytshëm midis të dyja vendeve, sepse, siç ka thënë, unë besoj, ndërsa të gjithë do të pajtohemi – mjedisi jetësor nuk di për kufij.
Ministri Nuredini theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Republika e Kosovës – ndajnë gati të njëjtat probleme të mjedisit, ndotjen e ajrit, menaxhimin me mbeturinat, ujin, pasuritë natyrore, etj. dhe shprehu bindjen e tij të thellë se duke bashkëpunuar në menaxhimin e duhur të problemeve tona të përbashkëta mjedisore, bëhemi edhe më të afërt si fqinjë, shohim se sa kemi të përbashkët dhe sa shumë fitojmë duke punuar në partneritet.
Në fund Nuredini shfaqi shpresën për një bashkëpunim të suksesshëm në të ardhmen, qëndron në kumtesën e Ministrisë.