Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski sot ka marrë pjesë në Forumin global për ushqim dhe bujqësi (GFFA), që mbahet në suaza të Panairit për bujqësi dhe ushqim “Java e gjelbër” në Berlin, Republika Federale Gjermane.
Këtë vit temë e Forumit është “Bujqësia po digjitalizohet” – Zgjidhje të mençura për bujqësinë e ardhshme”. Në mbledhjen e sotme në këtë temë ministrave ndërkombëtar të bujqësisë i’u drejtua kancelarja gjermane Angela Merkel së bashku me ministren e Ushqimit dhe Bujqësisë të Shtetit Federal Gjerman Julija Klokner.
Para ministrave të 70 vendeve të botës Merkel ka folur për vlerën e digjitalizimit për të ardhmen e bujqësisë. Sipas saj, të gjithë bujqit përballen me probleme të përbashkëta siç janë ndryshimet klimatike, por me ndihmën e digjitalizimit lehtësohet puna e tyre dhe mundësohet qasja deri te informatat më të shumta dhe më të sakta.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2050 duhet të prodhohet 70 për qind më shumë ushqim për nevojat e botës.
Forumi global për ushqim dhe bujqësi është konferencë ndërkombëtare e cila fokusohet në çështjet qendrore për të ardhmen e industrisë botërore për ushqim dhe bujqësi. Kjo është mundësi unikate për përfaqësuesit e politikës, sektorit të biznesit, shkencës dhe shoqërisë qytetare nga e tërë bota të ndajnë ide dhe më mirë t’i kuptojnë temat e politikës bujqësore.
Forumi mbahet në suaza të panairit më të madh botëror për ushqim dhe bujqësi “Java e gjelbër” në Berlin, të organizuar nga Ministria për Ushqim dhe Bujqësi të Republikës Federale Gjermane