Ministri i ri japonez, i angazhuar për sigurinë kibernetike të mërkuren e ka pranuar një gjë, e cila i ka habitur shumë japonezë: Se ai në të vërtetë nuk përdor kompjuterët.
“Që nga mosha 25-vjeçare, kam qenë në pozita ku sekretarët dhe të punësuarit i kanë kryer për mua gjërat e lidhura me kompjuterë”, ka thënë Yoshitaka Sakurada (68) në një takim të komitetit të Dhomës së Ulët të parlamentit japonez, raporton “Huffington Post”, transmeton Koha.net.
“Iu jap udhëzime ndihmësve të mi dhe vetë nuk punoj me kompjuter”, ka thënë ai.
“Sidoqoftë, jam i bindur se puna jonë është pa të meta”.
Medie të shumta japoneze dhe ndërkombëtare shkruajnë se Sakurada, që midis tjerash ka për detyrë organizimin e Lojërave Olimpike në Tokio më 2020, po ashtu nuk kishte pasur ide se si përdoret USB-ja, teksa i ishte përgjigjur pyetjeve rreth sigurisë së rrjetit japonez të rrymës.