Shkup, 28 janar – Në ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, sot për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë do të qëndrojë ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Lituanisë, Linas Linkeviçius.
Siç kumtoi MPJ-ja, përveç me nikoqirin e tij, ministri lituanez do të takohet edhe me kreun shtetëror të Republikës së Maqedonisë, si dhe me shumë deputetë në Kuvendin e Maqedonisë.
Në agjendën e bisedimeve të dy ministrave do të jenë çështjet për dinamikën dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale Maqedoni-Lituani, bashkëpunimi sektorial me theks të veçantë të bashkëpunimit në planin ekonomik dhe tregtar, si dhe mbështetjen lituaneze të procesit të integrimit të RM-së në BE dhe në NATO. Gjithashtu, shefat e dy diplomacive do të këmbejnë mendime edhe për shumë çështje aktuale në suaza rajonale dhe ndërkombëtare.
Takimi Dimitrov – Linkeviçius, sipas agjendës, do të fillojë me nënshkrimin e marrëveshjes për transport ndërkombëtar në komunikacionin rrugor, pas çka vijojnë bisedimet sy në sy.
Ministrat do të kenë edhe fjalime në panel diskutimin “Synime të përbashkëta: stabilitet i Ballkanit, siguri në Ballkan” që do të mbahet në MPJ, në organizim të Info qendrës për integrime euroatlantike. (koha.mk)