Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov nesër në Athinë do të takohet me shefin e diplomacisë greke, Nikos Koxias. Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina, tani për tani nuk ka kumtesë zyrtare nga MPJ greke për detajet për takimin, dhe as cilat do të jenë temat, për të cilat do të bisedohet. Edhe mediat greke tani për tani nuk spekulojnë për temat për të cilat do të bisedojnë dy ministrat, përveç që shprehet siguri se në tryezë do të jenë masat për ndërtimin e besimit dhe mënyrat në të cilat mund të thellohet bashkëpunimi bilateral midis dy vendeve. Para vizitës në Athinë, Dimitrov në një intervistë për “Fajnenshëll Tajms” deklaroi se “Maqedonia është duke e shqyrtuar mundësinë për përdorimin e referencës së përkohshme për anëtarësim në NATO”.
“Do ta pyesim Greqinë se çfarë lloji të fqinjit dëshiron. Nëse dëshiron shtet stabil, miqësor i cili ofron shpresë, demokraci dhe drejtësi? Nëse ne jemi fqinj i mirë i Greqisë, ndoshta forcat politike greke do ta kuptojnë se po na ofrohet mundësia historike”, deklaroi Dimitrov në intervistë. Shefi i diplomacisë së Maqedonisë dje ishte pjesë e delegacionit të lartë qeveritar, të kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, i cili ishte për vizitë në Bruksel ku u takua me njerëzit e parë të BE-së dhe NATO-s. Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministrin Zaev shfaqi shpresë se me referencën e përkohshme vendi ynë do ta pranojë ftesën për anëtarësim në Aleancë.
“Ne shpresojmë se me referencën e përkohshme do të marrim ftesë për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe në të njëjtën kohë do të vazhdojmë me bisedimet me Greqinë për procesin në BE. Ne presim me referencën e përkohshme të marrim ftesë nga NATO në pajtim me marrëveshjet me Greqinë, ndërsa derisa zgjat ratifikimi tek 29-të anëtaret e Aleancës, janë dy vjet që në mënyrë shtesë të gjendet zgjidhje. Alternativa ka shumë, varet shumë prej fqinjit tonë jugor, por ne kërkojmë arsye më shumë për zgjidhje pozitive për stabilitet, ndërsa kjo është shumë e rëndësishme nëse Maqedonia hyn në NATO”, deklaroi Zaev.
Stoltenberg e ka porositur Zaevin se sipas konkluzionit të Samitit të NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, përsëritur në të gjitha samitet e ardhshme të Aleancës, se “ftesa do të dërgohet pasi që do të zgjidhet kontesti me Greqinë”. Greqia zyrtare, nga ana tjetër, mbetet me qëndrimin e vetë të fuqishëm se Maqedonia nuk mund të bëhet anëtare e NATO-s pa u zgjedhur paraprakisht çështja e emrit. Koxias fundjavën që shkoi përsëriti se vendi ynë është “dhuratë prej Zotit, por me kumbarë të keq”.
Ai shtoi se me Dimitrovin nuk do të flasin për kontestin për emrin. por për metodën se si do të vazhdojnë negociatat për emrin. “Katimerini” komentoi se presioni ndaj Athinës do të fillojë që në muajt e ardhshëm, ndërsa burime për gazetën kanë deklaruar se presioni gjerman ndaj Athinës për pranim të shpejtë të Maqedonisë në NATO veçmë po bëhet “ngulfatës”.
“To Vima”, nga ana tjetër, shkroi se faktorë të lartë diplomatik njoftuan se Greqia nuk do të pranojë hyrje në NATO me emër të përkohshëm, sepse ky do të jetë mjet për de fakto imponim të emrit të dyfishtë, me ç’ka në fund vetëm Greqia dhe organizatat ndërkombëtare në të cilat Greqia ka të drejtë të vetos do ta miratojnë emrin e përkohshëm në bazë të përhershme dhe për të gjitha dedikime tjera do të garantohet përdorimi i emrit kushtetues “Republika e Maqedonisë”.