Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot e ka promovuar aplikacionin “Visit Macedonia”, që do të shërbejë për promovimin e turizmit në vend.
“Turizmi në Republikën e Maqedonisë është sektori i vetëm, që në 9 vitet e fundit ka shënuar rritje të vazhdueshme deri 100 përqind. Kështu që vitin 2017-të e kemi përfunduar me një rritje të numrit të turistëve me 16.6%. Numri i turistëve të huaj është rritur në 23.5% në krahasim me vitin 2016. Ndërkohë bujtjet e turistëve të huaj në vend janë rritur në 22.8%”, theksoi Bekteshi.
Ai potencoi se në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i turistëve në vend është rritur për 18.7 për qind.
“Vetëm në muajin maj të këtij viti, Maqedoninë e kanë vizituar 104.034 turistë, të cilët mesatarisht kanë qëndruar dy netë në vend”, theksoi ministri i Ekonomisë.
Ai deklaroi se tendenca e Ministrisë së Ekonomisë është ai numër të rritet.
“Qëllimi ynë është deri në vitin 2020 numri i turistëve në Republikën e Maqedonisë të jetë një milion, me tre milion bujtje të realizuara, ndërsa pjesëmarrja e turizmit në BPV të jetë pesë për qind”, sqaroi Bekteshi.
Ai ka informuar se aplikacioni “Visit Macedonia” është përpunuar në tre versione: Telefonike, Kompjuterike, dhe Administratori konsol, si dhe në tri gjuhë: anglisht, maqedonisht dhe shqip.
“Qëllimi i aplikacionit, i cili është në fazën përfundimtare, është të ofrojë qasje deri te të gjitha informatat e nevojshme që ta bëjë më interesant dhe më të rehatshëm qëndrimin e çdo turisti në shtetin tonë”, tha ministri i Ekonomisë.
Bekteshi dërgoi apel deri te të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë sa më shumë ta shpërndajnë aplikacionin në rrjetet sociale, me qëllim të promovimit të tij më të madh.