Ministri i Drejtësisë Bilen Saliji, realizoi takimin e parë me Kryetarin e Odës së noterëve të Republikës së Maqedonisë, Vasil Kuzmanoski, nënkryetarin Naxhi Zeqiri dhe përfaqësues tjerë të Odës së noterëve të Republikës së Maqedonisë. Kryetari i Odës së Noterëve të Repubikës së Maqedonisë uroi ministrin e Drejtësisë për detyrën e re dhe falënderoi për kohën që ndau, me dëshirë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.
Ministri i Drejtësisë Saliji u falënderua për urimet dhe vlerësoi rëndësinë e notariatit në Republikën e Maqedonisë. Kryetari i Odës së noterëve Vasil Kuzmanoski e njoftoi ministrin e Drejtësisë me aktivetet vijuese nga ana e Odës së Noterëve të Republikës së Maqedonisë, si edhe me problemet me të cilat ballafaqohet notariati.
Ministri Saliji, theksoi se do vazhdojë bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë me Odën e Noterëve të Republikës së Maqedonisë dhe se do të krijohen mundësi për bashkëpunime të shumta, e gjithë kjo në interes të qyetarëve të Republikës së Maqedonisë. Në fund të takimit, ministri Saliji iu falënderua përfaqësuesve të Odës së Noterëve dhe shtoi se takimet e këtilla në të ardhmen do të intensifikohen me qëllim zgjidhjen e problemeve që i takojnë kësaj lëmie.