Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe drejtoresha e Shkollës Ndërkombëtare për Studime të Holokaustit në kuadër të “Yad Vashem”, në Jerusalem, nënshkruan Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve, ku akoma më shumë thellohet bashkëpunimi bilateral në sferën e arsimit ndërmjet Maqedonisë dhe Izraelit.
Ademi beson fuqishëm që kjo Deklaratë e përbashkët do të sjellë deri në përforcimin e lidhjeve bilaterale ndërmjet dy institucioneve, do të theksohet rëndësia e arsimimit për Holokaustin në Republikën e Maqedonisë dhe do të sigurohet konsultim dhe bashkëpunim i mëtejshëm.
“Këtë vit shënuam 75 vjetorin e deportimit të 7.144 hebrenjve nga Maqedonia apo 98 për qind nga popullata hebre, në atë periudhë deri në Treblinka. Më 11 mars, Dita komemorative nacionale e Holokaustit, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë mbajti mbledhje të veçantë komemorative dhe e miratoi Deklaratën me të cilën theksohet përcaktimi i përhershëm i shtetit që kurrë të mos harrohen viktimat e Holokaustit”, informoi ministri Ademi.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë e ka miratuar përkufizimin e punës të anti-semitizmit. Për këtë qëllim, thotë Ademi, Byroja për Zhvillimin e Arsimit, që është institucion përgjegjës për programet mësimore të shkollave në vendin tonë, ka publikuar materiale shtesë për Holokaustin.
“Këto materiale janë përgatitur nga IHRA, e më pas janë përkthyer në gjuhën maqedonase dhe janë shpërndarë nëpër të gjitha shkollat në Maqedoni”, theksoi ministri Ademi.
Ai shtoi se për të ruajtur kujtesën për Holokaustin, duhet t’i mësojmë gjeneratat e reja, se pikërisht për këtë mbetemi të përkushtuar të vazhdojmë ta përfshijmë arsimimin për Holokaustin në programet mësimore në sistemin arsimor publik, t’i nxisim aktivitetet për trajnimin e mësuesve dhe të zhvillojmë apo furnizojmë resurse dhe materiale të nevojshme për arsim të këtillë.